E Diel, 1 Nëntor 2026

Përleshjet, "bilanc lufte" pas Roma-Inter

ROME- Ndeshja mes Romës dhe Interit nuk pati vetëm shkelmat dhe nervozizmin në fushën e lojës, por edhe përleshjet në shkallët e stadiumit. Gjatë ndeshjes, 200 tifozë romanistë kanë kërkuar të çajnë kordonin e sigurisë për të shkuar tek tifozët zikaltër. Në fund, autoritetet kanë njoftuar arrestimin e një tifozi të Romës që hyri në fushë në fund të takimit dhe u drejtua për nga skuadra e Interit. Po ashtu, për përleshjet në stadium janë bërë edhe 7 arrestime të tjera. Por, problemet vijuan edhe në rrugët e kryeqytetit italian, pas takimit. Nga përleshjet ka mbetur i plagosur me thikë një fans i Interit, ndërkohë që edhe një polic është dërguar në spital. Tifozi i Interit është goditur nga 4 tifozë të Romës rreth orës 1.30 të mëngjesit. Ai ka marrë goditje me thikë në kofshën e majtë dhe u dërgua me urgjencë në spital, ku do të qëndrojë të paktën 10 ditë. Po ashtu, një grup prej 100 tifozësh të Romës ka hedhur shishe drejt policëve, gjë që ka sjellë reagimin e forcave të rendit. 12 vetë janë shoqëruar në polici, prej të cilëve 6 u arrestuan për rezistencë dhe dhunë ndaj personit që kryen një detyrë publike. 6 të tjerët ishin minorenë, por edhe ndaj tyre u ngrit e njëjta akuzë.
(e.n/A.Latifi/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›