Policia e Korçës: Nuk ka grevë urie në paraburgim
Dëshirojnë që të paktën të ushqehen pastër dhe të kryejnë nevojat personale në kushte higjenike, vërtet janë individë të izoluar sepse quhen të burgosur por si çdo qenie tjetër, kërkojnë ta kryejnë dënimin në kushte më njerëzore.
Të burgosurit pavarësisht veprave penale për të cilat akuzohen, meritojnë një trajtim me dinjitet siç parashikohet në ligj për sa i përket të drejtave të njeriut.
Sot në redaksinë e Shekullit online, telefonoi një i burgosur për të bërë një denoncim në lidhje me dhomat e paraburgimit në Rajonin e Policisë së Korçës. Telefonuesi anonim, i burgosur në izolim sqaroi se ka dy ditë që aty po bëhët grevë për shkak të kushteve të këqija.
'Jemi shumë persona që jemi futur në grevë urie'- kështu ka denoncuar ai- 'sepse nuk ka kushte higjenike në banja, ushqimi është i keq, nuk na lejojnë të takohemi me të afërmit, s'na lejojnë të futim ushqime që na vijnë nga familjarët, na keqtrajtojnë policët dhe drejtori Petrit Bazelli vjen e na bën presione".
Redaksia e Shekullit telefonoi korrespondentin e saj në Korçë, Artan Grabocka, për të verifikuar nëse në këtë rajon policie kishte vërtet grevë dhe si ishin kushtet në të. Përgjigjja e drejtorit të këtij rajoni Petrit Bazelli ishte një "JO" e prerë. Në këtë rajon policie nuk ka grevë dhe Bazelli për sa i përket kushteve tregon se janë si të gjithë burgjet e tjerë.