E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia e Korçës në gatishmëri të plotë për zgjedhjet, 439 efektivë për ruajtjen e 422 qendrave të votimit

Strukturat e Drejtorisë Vendore të Policisë Korçë janë angazhuar maksimalisht për të garantuar mbarëvajtjen e procesit zgjedhor në qarkun juglindor të vendit.

Në zbatim të planit të masave, Policia ka përfshirë gjithsej 439 efektivë për të siguruar 7 KZAZ-të dhe 422 qendrat e votimit në territorin e qarkut.

Pas përfundimit të shpërndarjes së materialeve zgjedhore në të gjitha qendrat e votimit, punonjësit e Policisë të caktuar për ruajtjen fizike të objekteve zgjedhore janë paraqitur në vendngjarje në orën 18:00 të ditës së sotme dhe kanë marrë në ruajtje të gjitha pikat e votimit.

Ruajtja e këtyre objekteve do të vijojë deri në orët e para të mëngjesit të nesërm, kur do të nisin punën Komisionet e Qendrave të Votimit dhe Komisionet Zonale të Administrimit Zgjedhor.

Nga Policia e Korçës njoftohet se të gjitha detyrat e përcaktuara në planin operacional janë realizuar me përpikëri dhe sipas procedurave standarde.

Në ambientet e Drejtorisë Vendore të Policisë është ngritur një grup drejtues për monitorimin në kohë reale të situatës, menaxhimin e informacionit dhe koordinimin me mediat dhe publikun.

Deri në këto momente, situata e rendit dhe sigurisë publike në qarkun e Korçës paraqitet e qetë dhe pa incidente. Policia garanton se do të vijojë të qëndrojë në gatishmëri të plotë për të siguruar një proces zgjedhor të rregullt dhe të qetë.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›