E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia e Shkodrës, padi në prokurori ndaj Avokatit të Popullit

Policia e Shkodrës ka paditur në prokurori institucionin e Avokatit të Popullit, me arsyen se ky institucion ka ndërhyrë në mënyrë të padrejtë në hetim dhe e ka prishur atë. Para tri ditësh pati një përplasje midis kryetarit Emir Dobjani dhe Drejtorisë së Policisë Shkodër, në lidhje me arrestimin dhe marrjen në pyetje të një 20-vjeçari, nga ana e agjentëve të Policisë Gjyqësore. Sipas Avokatit të Popullit, mbi të riun ishte ushtruar dhunë nga dy oficerët e policisë. Sipas Avokatit të Popullit, i riu ishte rrahur dhe kishte shenja të dhunës në trup dhe për këtë kishte kërkuar dhe ndjekjen sipas ligjit të dy oficerëve.

Por duket se në lidhje me këtë qëndrim nuk ka qenë dakord Drejtoria e Policisë së Shkodrës, ku në një deklaratë për shtyp nga ana e saj, sqaroi pozicionin, duke mohuar akuzën e ushtrimit të dhunës mbi të shoqëruarin dhe duke akuzuar Avokatin e Popullit për pengim hetimi. “Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, na prishi hetimet që po bënim për zbardhjen e një ngjarjeje të rëndë të ndodhur në vitin 1997. Zoti Dobjani dhe komisionerët që e shoqëronin, ndërhynë në mënyrë arbitrare në zyrat e Policisë Gjyqësore”, - thuhet në deklaratën për shtyp të policisë. Sipas njoftimit për shtyp, 20-vjeçari me inicialet E.A. ishte shoqëruar në komisariat për t’u marrë në pyetje për një vrasje të ndodhur në 1997. Më 10 shtator të këtij viti, Sektori i Luftës Kundër Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë Shkodër, në bashkëpunim me Prokurorinë e rrethit, kishin rifilluar hetimet për çështjen penale nr. 53. Dosja bën fjalë për vrasjen e një personi dhe plagosjen e katër të tjerëve për motive gjakmarrjeje, më 1 gusht të '97-s, në lagjen "Liria" të qytetit të Shkodrës. I riu ishte shoqëruar në komisariat më 21 nëntor rreth orës 07:00, së bashku me disa persona të tjerë, për t’u marrë në pyetje nëse kishte dijeni për ngjarjen.

Sipas policisë së Shkodrës, gjithçka, çdo procedurë ndaj të arrestuarve është bërë konform ligjeve dhe neneve 155, 160 dhe 297 të Kodit të Procedurës Penale. "Gjatë kohës që po vazhdonte pyetja e personave të shoqëruar, Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, me disa komisionerë të këtij institucioni, ka ndërhyrë në mënyrë arbitrare në zyrat e policisë. Ai ka ushtruar presion ndaj oficereve tanë, veprim ky i cili ka interferuar direkt në mosdokumentimin ligjor të kësaj ngjarjeje të deleguar nga Prokuroria", - thuhet në deklaratën e policisë së Shkodrës.

Në dy javët e fundit vihet re një rritje e inspektimeve të institucionit të Avokatit të Popullit në komisariatet e policisë në vend, për të kontrolluar për rastet e ushtrimit të dhunës, mosrespektimit dhe shkeljen e të drejtave të njeriut, nga ana e agjentëve, ndaj personave të arrestuar.

Megjithatë, rasti i dytë i denoncuar nga ky institucion, duket se nuk ka qenë i tillë për palën e akuzuar, Drejtorinë e Policisë së Shkodrës, e cila nga ana e saj deklaron se është ndërhyrë gjatë momentit të hetimit dhe janë prishur ato.

Ngjarja, dhunë ndaj një 20-vjeçari gjatë marrjes në pyetje

Institucioni i Avokatit të Popullit ka bërë një inspektim të befasishëm në komisariatin e policisë së Shkodrës. Një i shoqëruar në ambientet e policisë ka bërë ankesë, ku ka deklaruar se është dhunuar psikologjisht e fizikisht gjatë orëve që është marrë në pyetje për një ngjarje të ndodhur në vitin 1997, kur ai ishte vetëm 9 vjeç. Gjatë inspektimit të bërë në policinë e Shkodrës, Avokati i Popullit, pasi pa nga afër situatën, në një prononcim për mediat theksoi se për dhunën e ushtruar në qelitë e paraburgimit të komisariateve të policisë, do të merren masa të rrepta ndaj autorëve. Kreu i institucionit, Emir Dobjani, deklaroi se krahas problemeve të mungesës së kushteve të higjienës në qelitë e paraburgimit, problem kryesor ishte edhe dhuna e ushtruar ndaj një 20-vjeçari gjatë marrjes në pyetje.

Avokati i Popullit ka kërkuar ndaj dy oficerëve të policisë, që kanë dhunuar të riun, marrjen e masës ndëshkuese. 20-vjeçari është shoqëruar në polici gjatë ditës së djeshme bashkë me një tjetër person dhe është mbajtur disa orë në pyetje lidhur me një ngjarje të ndodhur në vitin 1997, kur ai ishte vetëm 9 vjeç.

Rasti në Sarandë, dhunë ndaj 18-vjeçarit në qeli

Para një jave, Avokati i Popullit shprehu shqetësimin e tij në lidhje me keqtrajtimin e një të riu që tentoi të kalonte kufirin, nga një punonjës policie në komisariatin e Sarandës. Gjatë një konference për shtyp, Dobjani dënoi rëndë aktet e ushtrimit të dhunës ndaj shtetasit Aristidh Glluçaj nga Gjormi i Vlorës. Gllucaj dhe Oltjon Varfi u arrestuan pak ditë më parë nga komisariati i policisë së Sarandës për veprën e kalimit të paligjshëm të kufijve. Sipas Dobjanit, ndaj tyre është ushtruar dhunë çnjerëzore nga oficeri i policisë, Hasanbega, deri në kufijtë e dërgimit në spital. Pas këtij denoncimi, Ministria e Brendshme pranoi ushtrimin e dhunës ndaj dy shtetasve Aristidh Gllucaj dhe Oltjon Varfi, duke bërë me dije arrestimin gjatë ditës së djeshme të oficerit Ardit Hasanbega. Pas alarmit të Avokatit të Popullit, policia ka arrestuar Hasanbegën me akuzën e “kryerjes së veprimeve arbitrare”, të parashikuar nga neni 250 i Kodit Penal, dhe në bazë të një urdhri të lëshuar nga Prokuroria e Sarandës.

Edhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Prençi, pas konfirmimeve të marra në lidhje me këtë ngjarje, ka urdhëruar pezullimin nga detyra të punonjësit të policisë që ishte përfshirë në këtë ngjarje. Reagimi i Ministrisë së Brendshme erdhi disa orë pasi Avokati i Popullit ka ashpërsuar gjuhën e kritikave ndaj këtij institucioni.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›