E Shtunë, 31 Tetor 2026

OST: Kufizimet, nga dëmtimi i linjave

Përkeqësimi i motit, mbyten 2 peshkarexha, plagoset një shtetas

Shkëputja nga moli e anijes “Aurelia”, 3 orë panik te pasagjerët. Pronarët e peshkarexhave të dëmtuara kërkojnë dëmshpërblim nga autoritetet portuale

Sonila Mesareja

Përkeqësimi i motit ka përfshirë gjithë vendin, madje duke shkaktuar një të plagosur dhe dëme të konsiderueshme materiale. Gjatë gjithë natës dhe ditës së djeshme, vendi u përfshi fillimisht nga erëra të forta, të cilat u shoqëruan me reshje të dendura shiu e dëbore. Situata ka qenë mjaft e përkeqësuar në disa zona të vendit, sidomos në disa nga portet e vendit. Për këtë arsye, autoritetet portuale kanë ndaluar lundrimin në det në Durrës, Vlorë, Sarandë e Shëngjin. Tragetet dhe anijet janë ndaluar të dalin në det, ndërkohë që edhe kur kanë qenë të ankoruara, ato kanë sjellë pasoja për shkak të shkëputjes nga moli dhe përplasjes me peshkarexha, dy prej të cilave në Durrës janë përmbytur. Shpejtësia e erës në të gdhirë të ditës së djeshme ka arritur në 130 km/orë. Kjo ka shkaktuar probleme serioze si ne det ku ishin ankoruar anijet, ashtu edhe në port ku ishin depozituar mallrat e tregtarëve. Dhe, nëse portet morën masat që anijet e tragetet të mos dilnin në det për shkak të dallgëve që arrinin deri në 8 ballë për shkak të erërave të forta, në disa qytete për shkak të shirave të dendura janë shënuar përmbytje të banesave, dyqaneve apo dhe sipërfaqeve të arave bujqësore. Për të mos shkuar më larg, vetëm në periferi të kryeqytetit janë përmbytur disa banesa në afërsi të Babrrusë e Paskuqanit, pasi lumi që kalon përmes Tiranës ka dalë nga shtrati nga prurjet e shumta. Dëme janë shënuar edhe në qytetin e Elbasanit, ku për shkak të erërave janë shkulur pemët që nga rrënja ose janë këputur në mes, duke rënë mbi çatitë e banesave apo dyqaneve. Fatmirësisht, sipas banorëve të këtij qyteti, erërat e shirat nuk kanë shkaktuar dëmtime në njerëz, të cilët kanë qenë në banesa apo dyqane gjatë stuhisë.

Përplasja e tragetit

Si pasojë e erës së fortë dhe dallgëve që arrinin lartësinë 8 ballë, trageti “Aurelia” i linjës Bari-Durrës, gjatë manovrimeve për t’u ankoruar në terminalin e trageteve, ka lëvizur në mënyrë të pakontrolluar nga vendi dhe nuk ka mundur të ankorohet. Me një numër të madh pasagjerësh në bord, gjatë lëvizjes së tij në mëshirë të erës, trageti është përplasur në molin e peshkarexhave me disa anije të vogla peshkimi, duke shkaktuar shkatërrimin dhe mbytjen e dy prej tyre, si dhe dëmtimin e shtatë të tjerave. Peshkarexhat që përfunduan në fund të detit, janë “Taulantia” dhe “Acquario” ndërsa ndodhet gjysmë e mbytur anija “El Paso”. Por, nga lëvizja e pakontrolluar e tragetit, te 200 pasagjerët që ndodheshin në bord është krijuar panik, për më se tri orë përpjekje, derisa ekuipazhi ka arritur ta kontrollojë më në fund lëvizjen e tragetit dhe e ka ankoruar atë me ndihmën edhe të mjeteve të shpëtimit detar, të cilat kanë shkuar menjëherë në vendngjarje. Sipas burimeve zyrtare nga porti i Durrësit, mësohet se asnjë nga pasagjerët nuk është dëmtuar gjatë incidentit të shënuar, ndërkohë që edhe peshkatarët si dhe pronarët e peshkarexhave të mbytura dhe atyre të dëmtuara nuk janë lënduar pasi nuk kanë qenë në varka në momentin e përplasjes së tragetit tek to. Vetë peshkatarët e dëmtuar nga ajo që ndodhi në port janë revoltuar, duke kërkuar dëmshpërblim nga autoritetet portuale për dëmin e shkaktuar. Sipas të dhënave të para mësohet se dëmi kap vlerën e 300 mijë eurove, ndërkohë që pritet që për vlerësimin e dëmit të shkaktuar të ngrihet një komision i posaçëm. Pronarët e motopeshkatoreve të mbytura dhe të atyre të dëmtuara kërkojnë dëmshpërblimin e menjëhershëm për dëmin që iu shkaktua dhe fajësojnë kapitenerinë e portit të Durrësit që ka lejuar tragetin të ankorohet, megjithëse era ishte shumë e fortë.

Somario

Nga lëvizja e pakontrolluar e tragetit, te 200 pasagjerët që ndodheshin në bord është krijuar panik, për mëse tre orë përpjekje, derisa ekuipazhi ka arritur ta kontrollojë më në fund lëvizjen e tragetit dhe e ka ankoruar atë me ndihmën edhe të mjeteve të shpëtimit detar

Meteorologët

Deri të martën, ulje e ndjeshme e temperaturave

Reshjet dhe moti i keq do të vazhdojnë deri të martën e ardhshme, por jo me të njëjtin intensitet si gjatë natës, duke u gdhirë dita e djeshme. Meteorologët e shërbimit të Forcave Ajrore parashikojnë një vazhdimësi të motit të paqëndrueshëm, por me një ulje në intensitetin e erërave të fuqishme dhe dendësisë së shirave. Gjatë ditës së djeshme, temperaturat kanë rënë gati 7 gradë celsius. Dendësia më e madhe e reshjeve është shënuar në qytetin e Shkodrës me 90 milimetra dhe Gjirokastër me 86 milimetra. Ndërsa në zonat malore reshjet kanë qenë në formën e dëborës, përkatësisht 20 cm në Kukës, ndërkohë që rënia e saj është shtrirë në gjithë zonën malore të vendit. Sipas meteorologëve, reshje dëbore parashikohen edhe në pjesën juglindore të vendit, si në Korçë, Ersekë. Shërbimi meteorologjik i Forcave Ajrore parashikon rënie të temperaturave edhe për ditën e sotme në 2 gradë celcius, ndërkohë që përmirësim të motit dhe rritje të temperaturave do të kemi vetëm ditën e martë, kur temperaturat pritet të kapin shifrat maksimale deri në 19 gradë.

Erërat e forta

Dimri i ftohtë dhe me reshje të dendura bore ka mbërritur dhe në Kukës, madje duke shënuar një të dëmtuar dhe dëme materiale. Një 65-vjeçar nga qyteti i Kukësit ka qenë duke kaluar në rrugë kur për shkak të erërave të forta i ka rënë mbi kokë një depozitë uji nga tarraca e një pallati. Bëhet fjalë për shtetasin Haxhi Tota, i cili u shtrua menjëherë në spitalin e qytetit, ku dhe iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale. Reshjet e dëborës që kanë përfshirë gjithë zonën e Kukësit, nisën fillimisht në zonat mbi 1000 metra mbi nivelin e detit, duke krijuar një trashësi prej rreth 10-15 centimetrash, ndërsa në qytetin e Kukësit reshjet e dëborës kanë nisur në orët e mëngjesit të shoqëruara dhe me reshje shiu. Për këtë arsye, autoritetet policore kanë njoftuar kalimin e automjeteve me zinxhirë, pasi dendësia e borës nuk e lejonte kalimin normal të tyre. Falë ndërhyrjes së pushtetit vendor në Kukës, akset rrugore kanë qenë dje të kalueshme, ndërkohë që shihet si shqetësim mungesa e energjisë elektrike në tri lagje të Kukësit, si dhe disa komuna përreth. Policia ka marrë masat e saj e gjendur përballë kësaj situate, përkeqësimit të motit, duke shtuar postblloqe, të cilat nuk lejojnë lëvizjen e mjeteve pa zinxhirë, masë kjo e domosdoshme për të shmangur aksidentet. Si pasojë e erërave të fuqishme ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike në shumë zona të rrethit, si dhe në pjesën më të madhe të qytetit të Kukësit. Bora ka bllokuar akset nacionale që lidhin qytetin e Kukësit me 9 komunat e rrethit verilindor. Mësohet se trashësia e dëborës ka arritur në 40-50 cm. Komunat e bllokuara janë Kalis, Arrën, Zapot, Curraj, Grykëçaj, Ujmishti, Bushtrica, Topojani dhe Shishtaveci. Trashësia e dëborës në aksin që lidh Kukësin me Hasin arrin në 30 cm. Policia informon se është i bllokuar qarkullimi në Qafën e Toblit, si dhe aksi rrugor Has – Qafë-Prush. Mësohet se komuna si Bicaj dhe dy lagje, numër 2 dhe ajo 3, të qytetit të Kukësit nuk po furnizohen me energji. Stuhia me reshje shiu që në orët e para të mëngjesit është kthyer në borë dhe erërat e forta kanë rrëzuar disa shtylla elektrike duke shkaktuar dhe avari në furnizimin me energji të qytetit. Gjithashtu, nga stuhia janë dëmtuar edhe disa çati.

Stuhia në Kukës, plagoset rëndë i moshuari. Ndërkaq që është shënuar dhe incidenti i parë i këtij dimri. 70-vjeçarit Haxhi Tota i ra në kokë depozita e ujit nga tarraca e një pallati. Menjëherë i moshuari është dërguar me urgjencë në spitalin e qytetit, ku po i nënshtrohet një ndërhyrjeje kirurgjikale, por në spital ka mungesa te theksuara të rezervave të gjakut.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›