Policia e Shtetit për e-mailin kërcënues: Nuk janë konstatuar lëndë shpërthyese

TIRANË, 9 tetor/ATSH/ Policia e Shtetit ka nisur verifikimet pas dërgimit të mesazheve kërcënuese në adresat elektronike zyrtare të disa institucioneve shtetërore, ku pretendohet për vendosjen e lëndëve shpërthyese në ambientet e tyre.
Sipas Policisë, deri tani nuk është evidentuar asnjë rast i vendosjes së lëndëve shpërthyese, ndërsa strukturat e specializuara, nën drejtimin e Prokurorisë, vijojnë punën për identifikimin e burimit të mesazheve.
Nga analizat e deritanishme rezulton se e-mailet janë pjesë e një fushate dezinformimi.
Në mesazhin e dërguar pretendohet se është vendosur një mjet shpërthyes në ndërtesat e institucioneve dhe kërcënohet me shpërthim, si dhe me sulme ndaj shqiptarëve, duke përmendur edhe çështjen e njohjes së Kosovës.
Policia e Shtetit vijon hetimet për identifikimin e autorit dhe verifikimin e plotë të rrethanave të rastit.
/a.f/r.e/