Policia e Tiranës, struktura e re në punë më 1 korrik

Burime të Policisë së kryeqytetit pohuan se pritet që kreu i policisë së qarkut të firmosë emërimet e fundit për strukturën
Komisariatet pritet të kenë më tepër hapësirë në hetimin e krimeve të lehta dhe më tepër njerëz në dispozicion
TIRANE- Shtyhet hyrja në fuqi zyrtarisht e strukturës së re e Drejtorisë së Policisë së Qarkut të Tiranës, pavarësisht se praktikisht puna e strukturës së re të sapongritur thuajse ka filluar që ditën e djeshme.
Sipas burimeve të policisë është lënë që struktura e re të hyjë në fuqi me 1 korrik zyrtarisht, duke nisur edhe punën me dinamikën e punës që pritet të ketë struktura më e madhe e policisë vendore në Shqipëri.
Burimet e policisë pohuan se ishte parashikuar që struktura e re të hynte në fuqi në dhjetëditëshin e fundit të muajit qershor, por për shkak të disa vonesave teknike është vendosur që ajo të nisë punën me 1 korrrik, duke qenë se edhe vonesa nuk është shumë e madhe.
Burime të policisë së kryeqytetit pohuan dje se drejtuesit rinj dhe ata aktualë të seksioneve dhe të zyrave të reja në Drejtorinë e Policisë së Tiranës, zhvilluan një mbledhje pikërisht për të sqaruar emrat dhe pozicionet e rinj që do të kenë gjatë punës së tyre oficerët e grupeve të patrullave të gatshme në komisariatet e kryeqytetit.
Sipas burimeve të Policisë kryesisht është diskutuar për oficerët e nivelit të mesëm me gradën më të ulët, nënkomisar.
Sipas burimeve bëhet fjalë pikërisht për oficerët e sektorëve të Rendit dhe të Policimit në Komunitet, të cilët pas datës një të muajit korrik, mund të kenë detyra dhe funksione të reja në komisariatet ku ata shërbejnë. Sipas burimeve të policisë, disa prej këtyre oficerëve të rolit të mesëm pritet të emërohen në detyra të reja, detyra që mund te kenë të bëjnë direkt ose indirekt me ato që kanë kryer përpara një korrikut.
Deri më një korrik, Drejtori i Policisë së Qarkut, pritet të ketë firmosur edhe urdhrat për emërimet e këtyre oficerëve në funksionet që ata do të kryejnë, dhe nuk është aspak çudi që një pjesë e mirë e tyre të vazhdojnë të jenë ende në funksionet që kryejnë aktualisht. Javën e kaluar, në Drejtorinë e Policisë së Qarkut, u prezantuan shefat e rinj të sektorëve dhe seksioneve. Disa prej seksioneve, u shkrinë
Struktura
Një muaj më parë, Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, firmosi ndryshimin e insitucionit të tij, me qëllim përmirësimin e punës së efektivëve blu. Mes ndryshimeve, ishte krijimi i Drejtorisë Operacionale, e cila tashmë drejtohet nga Drejtues i Parë Muhamet Rrumbullaku. Po kështu, Policia rrugore, u shkëput nga struktura lokale e Policisë duke krijuar një strukturë të re me hierarki më vete.
Për drejtimin e kësaj strukture u emërua Drejtues i Parë, Vullnet Topalli, ish- drejtor i Policisë së Shkodrës. Ndryshimet e kryera u reflektuan edhe në bazë, ku më shumë ndryshime pati në drejtim të sektorit të krimeve dhe të parandalimit të krimeve. Kështu disa seksione që hetonin krimet ndaj personit, u shkrinë me zyrën e hetimit të vrasjeve.
Po kështu zyrat e hetimit të krimeve kundër pronës u shkrinë në një seksion të hetimit të krimeve në komisariate.
Në këtë seksion u bashkua edhe ai i parandalimit të krimit dhe policimit në komunitet, që më parë ishte seksion më vete dhe kishte qëllim parandalimin e krimit. Ndryshimet më të mëdha strukturore, i pësoi policia e kryeqytetit e cila, kishte të ndarë në mënyrë më specifike hetimin e krimeve për shkak të dinamikës së krimit në Tiranë.
Policia Rrugore nisi funksionimin javën e kaluar
Javën e kaluar, menjëherë pas firmosjes së ndryshimit të strukturës së Policisë së Shtetit, nisi funksionimin edhe Drejtoria e Përgjithshme e Policisë Rrugore, në qendër dhe në bazë. Kështu në bazë të riorganizimit të ri të saj, struktura e re do të ketë një shef komisariati për 12 qarqe në vend.
Policia rrugore i është shkëputur disa qarqeve, në bazë të riorganizimit të vjetër që kishte policia, duke krijuar komisariate apo njësi të policisë rrugore, Tiranë, në Laç, duke përfshirë edhe Krujën, Lezhën dhe Mirditën. Policia Rrugore e Kavajës, është bashkuar me atë të Durrësit.
Në qarqet e tjera, mbulimi i policisë rrugore nuk ka ndryshuar duke mbuluar të njëjtët rrethe të qarqeve përkatëse. Gjatë javës së kaluar, pas prezantimit të drejtorit të ri të Policisë Rrugore, Vullnet Topalli, u prezantuan edhe shefat e njësive apo të komisariateve siç mund të quhen në gjuhën e përditshme.
mërimet e shumë prej tyre ishin firmosur më parë nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Hysni Burgaj, po gjatë javës së kaluar u krye prezantimi i tyre menjëherë pas nisjes punës së strukturës së re të Policisë Rrugore.
Ndryshimi i strukturës së Policisë, sipas argumentimit të drejtuesve u krye me qëllim menaxhimin më të mirë dhe më efiçent të strukturave dhe efektivëve të Policisë së Shtetit. Menaxhimi më i mirë është kërkuar në drejtim të strukturave të hetimit të krimit dhe të Policisë Rrugore.