E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia e zhgënjyer nga qeveria

Sipas kësaj Sindikate, tha se qeveria arbitrarisht ka bllokuar fondin prej 140 milionë lekë, të akumuluar nga fondi i veçantë.

“Sindikata e Punonjësve të Policisë është në dijeni se Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në bazë të nenit 9 të Ligjit për Policinë e Shtetit, është përgjegjës për menaxhimin efektiv dhe eficient të buxhetit të miratuar. Bazuar në këto akte të miratuara nga Kuvendi i Shqipërisë, Drejtori i Përgjithshëm ka kaluar kërkesat për shpërblime në fund të vitit për punonjësit e policisë. Por, Thesari i Shtetit, me urdhër dhe me vendim të qeverisë, që bie ndesh me aktet e mësipërme, ka bllokuar fondin që Drejtori i Përgjithshëm i Policisë do ta përdorte në zbatim të ligjit për shpërblimet në fund të vitit”, tha kreu i Sindikatës, Sadetin Fishta.

Ai shprehu edhe një sërë shqetësimesh të tjera që kanë të bëjnë me policinë, duke përmendur këtu mos njohjen që nga viti 2003 vjetërsinë në punë vetëm për këta punonjës si dhe për mungesën e trajtimit ushqimor që nga viti 2008. Që të dyja këto kërkesa janë të parashikuara në vendime të miratuara nga qeveria.

“Veç tyre, për sivjet borxhi i qeverisë rritet edhe më shumë këtë vit për dietat e papaguara, të cilat prekin drejtpërdrejt buxhetin familjar të çdo punonjësi policie. Ky borxh, aktualisht arrin në shumën totale 80 milionë lekë. Gjithashtu, mbeten pa paguar edhe 50 milionë lekë për orët suplementare të papaguara, po për këtë vit. Këto përfitime të papaguara janë mbajtur arbitrarisht nga qeveria, me pretendimin se nuk kemi fonde, ndërkohë që kryeministri ka deklaruar për rritje ekonomike në masën 4 për qind”, tha më tej Fishta. Sindikata e Policisë shprehet e vendosur që problemet e punonjësve të policisë mos të kalojnë në vesh të shurdhër të qeverisë, siç kanë kaluar edhe më parë. /S.Ll/Start/

                                                                                             2011-12-19 14:36
   

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›