E Shtunë, 31 Tetor 2026

Braçe: Qeveria po pengon Prokurorinë të hetojë Rrëshen-Kalimash

PS shprehet se qeveria e konsideron Kryeprokuroren e re, një kukull të sajën
Rruga Rrëshen-Kalimash është kthyer në një mjet për pasurimin e pushtetarëve të sotëm. Ky është konstatimi që vjen si reagim nga Partia Socialiste, një ditë pasi kryeministri Sali Berisha ftoi opozitën që të vizitojë kantieret e punës të ngritur nga kompania ndërtuese në terren, përgjatë segmentit në fjalë. Nënkryetari i grupit parlamentar socialist, Erion Braçe, duke marrë shkas nga deklaratat e lëshuara nga Kryeministri gjatë inspektimit të punimeve gjatë këtij aksi rrugor, ka akuzuar drejtpërdrejtë atë dhe ish-ministrin e Transporteve, Lulëzim Basha, për përvetësime ne mënyrë të paligjshme të fondeve publike, të vëna në dispozicion të ndërtimit të kësaj vepre. "Betimi i Kryeministrit se do të shkrinte bizhutë e familjes së tij, nuk u mbajt. Përkundrazi, bizhutë në atë familje janë shtuar, për të mos thënë që gjatë ndërtimit të kësaj rruge, pasuria e familjes Berisha është shtuar",- u shpreh dje Braçe. Gjithashtu, ai ka nuk ka lënë pa sulmuar edhe institucionin e Prokurorisë së Përgjithshme, duke e konsideruar atë si inekzistente, përballë asaj që ai e konsideroi si arrogancë të qeverisë. Sipas Braçes, qeveria nuk ka frikë nga hetimi i Kryeprokurores së re, pasi e konsideron atë si të sajën. "Ajo e qeshur epike, folklorike e Kryeministrit dhe çetës së tij, gjatë inspektimit të punimeve në vendin ku po ngrihen dy tunelet e rrugës Rrëshen-Kalimash, dëshmon më së miri, që ne nuk kemi Prokuror të Përgjithshëm në Shqipëri. Që qeveria e sotme e konsideron Prokurorin e Përgjithshëm të Republikës, të vetin, për më tepër, kukull të bukur të vetën. Që respekti i Qeverisë së Republikës së Shqipërisë për Prokurorin e Përgjithshëm, nuk ekziston",- u shpreh Braçe. Socialistët kanë gjetur dhe një herë rastin, dje, që të sjellin në vëmendjen e publikut të gjerë se për këtë segment, edhe pse puna për ndërtimin e tij ka kohë që ka filluar, ende nuk ka një projekt dhe një kosto të përafërt financiare. Kjo për ta përbën një shkelje të rëndë ligjore dhe i jep mundësi qeveritarëve të sotëm të rrisin masën e abuzimit me fondet publike, që janë siguruar falë taksave të shqiptarëve dhe borxhit që qeveria ka marrë në emër të shqiptarëve. "Pavarësisht veprimeve të ndërmarra paraprakisht nga organi i Prokurorisë natyrisht që ende nuk kemi hetime, për të zbardhur të vërtetën mbi këtë ngjarje. Nuk kemi hetime nga Komisioni i Posaçëm Hetimor Parlamentar, që mazhoranca ngriti me dhunë, për të hetuar gjoja procedurat e ndërtimit të kësaj rruge, madje, kemi dështim të atij komisioni, ashtu siç nuk kemi hetime ende nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme, për shkak të pengesave që qeveria e kryeministrit Berisha ka hapur mbi këtë hetim",- tha Braçe.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›