Tatimet, ndryshon llogaritja e detyrimeve
Projektligji "Për procedurat tatimore" zgjeron kompetencat e Administratës Tatimore për të vendosur detyrimet
Metoda alternative për llogaritjen e detyrimeve, baza e tyre mbështetet në çmimet e referencës
Tatimet do të kenë në dorë së shpejti një fushë më të gjerë veprimi, për të vendosur detyrimet tatimore me metoda alternative. Projektligji i ri "Për procedurat tatimore", i cili po përgatitet nga ana e qeverisë, vendos në dorë të tatimorëve një sërë kompetencash për të vendosur mbi bazën e metodave alternative për detyrimet e biznesit. Në bazë të metodave alternative do të jenë çmimet e mallrave që tashmë janë vendosur nga ana e tatimeve. Këto çmime reference, sipas tatimeve, shkojnë në një numër prej rreth 4 mijë dhe do të përdoren në të gjitha rastet kur tatimorët vlerësojnë se nga ana e biznesit është marrë një veprim për të fshehur të ardhurat dhe fitimet. Projekti për rritjen e kompetencave të tatimeve është kundërshtuar nga ana e sipërmarrjes, përfaqësuesit e të cilës kanë deklaruar se tashmë pritej një hap tjetër nga ana e tatimorëve, zgjerimi i vetëdeklarimit të të ardhurave.
Biznesi, rastet kur vendosin tatimet
Referuar projektit të propozuar nga qeveria dhe që ka hasur në një sërë kundërshtimesh nga grupe të ndryshme biznesi, një tatimpagues detyrohet që t'i nënshtrohet një akti vlerësimi me metoda alternative, kur tatimpaguesi nuk dorëzon një deklaratë tatimore në kohën dhe mënyrën e kërkuar nga ligji tatimor përkatës. Gjithashtu, edhe në rastet kur deklarata tatimore përmban të dhëna të pavërteta apo të pasakta. Një nga pikat më të rëndësishme dhe që sipas sipërmarrësve përbën edhe rastin më abuziv në këtë nen të ligjit, është përcaktimi i detyrimit tatimor në rastin kur të dhënat e deklaratës tatimore janë nën të dhënat referuese të investiguara nga tregu. Sipas biznesit një dispozitë e tillë lë vend për abuzime të shumta, në një kohë që çmimet në treg kanë një dinamikë që nuk mund të parashikohet në një kohë njëvjeçare. Për të realizuar këtë metodikë në caktimin e detyrimeve tatimore, është ngritur tashmë një drejtori për investigimin e çmimeve në Drejtorinë e Përgjithshme të Tatimeve. Çmimet e 4 000 artikujve të nxjerrë nga ana e kësaj drejtorie, për të gjithë sektorët e ekonomisë, do të përdoren nga ana e tatimorëve në vlerësimet alternative që do të realizojnë për taksat dhe tatimet që do të paguajë biznesi. Sipas DPT-së, ngritja e kësaj strukture ka për qëllim jo vetëm të investigojë çmimet, por t'i bëjë ato dhe të aplikueshëm në bazë të hapësirave ligjore dhe t'i përdorë këto çmime si bazë në vlerësimin e tatimeve që do t'i bëhen bizneseve.
Çmimet e referencës, baza e vlerësimit
Sipas projektit të Ministrisë së Financave, baza e vlerësimit me metoda alternative do të jenë çmimet e referencës që janë nxjerrë nga ana e studimit të tregut nga ana e tatimeve dhe të atyre që janë nxjerrë nga Instituti i Statistikave. Një projekt i tillë është kundërshtuar nga të gjithë shoqatat e biznesit, por deri tani asnjë nga kërkesat e tyre nuk është marrë parasysh nga ana e Administratës Tatimore. Nga ana tjetër projekti parashikon për biznesin e madh që, për të gjitha faturat e lëshuara pa TVSH, pagesa e detyrimeve të bëhet në bazë të çmimeve të shitjes me pakicë. Në kushtet e ekonomisë së tregut të lirë, drejt të cilës po shkon vendi, ku shkalla e mekanizimit ndryshon në mënyrë të vazhdueshme dhe varion nga një shoqëri në një tjetër, ku lëndët e para dhe materialet e ndërtimit gjithashtu janë të larmishme dhe cilësitë e tyre të shumëllojta, ku fuqia punëtore si në volum ashtu dhe përsa i përket pagesës për njësi kohe është e ndryshme dhe në ndryshim të vazhdueshëm, është absurde të pretendosh të hartosh një manual preventivi të detyrueshëm për zbatim dhe mbi bazën e të cilit të bëhet kontrolli i punëve publike apo private",- bëjnë të ditur përfaqësues të Shoqatës së Ndërtuesve. Projekti për fiksimin e çmimeve është kundërshtuar edhe nga Konfindustria, ndërsa propozime të shumta për ndryshim për këtë projekt kanë ardhur edhe nga Dhoma e Tregtisë dhe Industrisë.