Rrëshen-Kalimash, PD i përgjigjet akuzave të PS
TIRANË- Partia Demokratike ka reaguar dje ndaj akuzave të nënkryetarit të grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Erion Braçe, për rrugën Rrëshen-Kalimash. Ky reagim është bërë nga zëdhënësi i Partisë Demokratike, Gerti Bogdani, i cili mjaft shkurt i është kundërpërgjigjur akuzave të Braçes. Madje, në këtë kundërpërgjigje të shkurtër, Bogdani nuk është marrë fare me çështjen në fjalë, atë të rrugës, por ka ironizuar deputetin Braçe për gjatësinë e trupit të tij, duke thënë se, nëse ai do të inspektonte rrugën Durrës-Kukës do të humbiste në tunelet e saj. "Zoti Braçe ka frikë të inspektojë rrugën Durrës-Morinë, sepse është shumë i vogël dhe ka frikë se humb në tunelet e rrugës", i është përgjigjur zëdhënësi i PD-së interesimit të medias lidhur me akuzat që po ngrihen çdo ditë e më shumë nga Partia Socialiste në drejtim të qeverisë dhe të mazhorancës parlamentare. Reagimi i zëdhënësi Gerti Bogdani është i vetmi reagim zyrtar partiak nga ana e PD-së për çështjen në fjalë. Edhe vetë Kryeministri Sali Berisha e ka lënë në heshtje çështjen e rrugës Rrëshen-Kalimash dhe akuzave që po ngre çdo ditë opozita ndaj qeverisë së tij. Një ditë më parë, ndërsa inspektoi punimet e ndërtimit të kësaj rruge, kreu i qeverisë ka folur mbi të mirat e ndërtimit të saj dhe përparësitë e saj, por në asnjë moment nuk ka folur mbi akuzat e opozitës. Madje. Edhe kur është pyetur nga media nëse ai do t'i përgjigjet kërkesës së Prokurores së Përgjithshme për këtë rrugë, Berisha ka anashkaluar pyetjen.