Policia greke vazhdon të provokojë qytetarët çam, sot ndaloi në kufi deputetin e PDIU-së, Dashamir Tahiri

Në përmbyllje të javës çame, deputeti Tahiri dhe qindra qytetarë të tjerë shqiptarë do të jenë në Qafë Botë, pasi në orët e pasdites pritet të mbahet marshimi tradicional çam
Policia greke s’heq dorë nga aktet e provokacionit ndaj qytetarëve çam. Një tjetër incident shënohet në kufi mes Shqipërisë dhe Greqisë pasi pala greke ka ndaluar sot një deputet të Kuvendit të Shqipërisë, konkretisht Dashamir Tahirin, deputet i PDIU në Vlorë.
Deputeti i PDIU-se, Dashamir Tahiri, i shoqëruar nga gazetarë dhe kreu i komunës Markat, është ndaluar sot të kalojë pikën kufitare të Qafë Botës në Sarandë. Pas debatesh në pikë kufitare, Tahiri është lejuar të kalojë pikën kufitare, ndërsa gazetarët dhe kreu i komunes Markat që e shoqëronin atë, nuk kanë mundur të kalojnë.
Policia greke i ndaloi shoqëruesit e deputetit çam me argumentin se janë persona të cilët konsiderohen të rrezikshëm për rendin dhe qetësinë. Pak ditë më parë shoqata “Çamëria”, Klubi i Patriotëve të Rinj dhe Partia Drejtësi, Integrim dhe Unitet çelën në mjediset e Hotel Tirana, “Javën çame – Trëndafilat e Çamërisë”.
Sot në përmbyllje të javës çame, deputeti Tahiri dhe qindra qytetarë të tjerë shqiptarë do të jenë në Qafë Botë, pasi në orët e pasdites pritet të mbahet marshimi tradicional çam.
Rreth 20 shtetas shqiptarë me origjinë nga Çamëria janë ndaluar këtë vit nga policia greke për të kaluar në kufi.