E Diel, 1 Nëntor 2026

Rrëshen-Kalimash vazhdon të “rrjepë” taksat e shqiptarëve

Rruga vijon t’i marrë buxhetit miliarda lekë, në një kohë që punimet vazhdojnë

E inauguruar tre herë dhe nga tre kryeministra, rruga Durrës-Kukës jo vetëm që nuk ka përfunduar, por vijon të gllabërojë pjesën më të madhe të parave të buxhetit të shtetit. Financimi i “Rrugës së Kombit” po kapërcen edhe parashikimin e Ministrisë së Financave, e cila priste uljen e shpenzimeve për shkak se punimet pretendohet se janë drejt përfundimit. Të dhënat e fundit nga Financat tregojnë se për rrugën janë akorduar gjatë periudhës janar-mars 2010, rreth 5 miliardë lekë, pa dhënë sqarime se për çfarë konkretisht janë dhënë këto fonde. Mjafton vetëm një udhëtim në këtë rrugë për të parë se punimet jo vetëm që nuk kanë përfunduar, por vende-vende rruga duket sikur sa ka nisur. Nga Rubiku deri në hyrje të Rrëshenit, rruga është akoma në punime, ku përveç transesh në ndërtim dhe që është vetëm me dy korsi, të papërfunduara janë edhe disa ura. Po e njëjta situatë vijon pas daljes nga tuneli i Kalimashit për në drejtim të Kukësit e mandej në Morinë. Firmat e ndryshme shqiptare që e kanë marrë këtë rrugë përsipër, janë shumë prapa në punime, në një kohë që urat janë bërë pengesa kryesore. Fakti që kjo rrugë po merr sërish para nga buxheti, i bie që tuneli po bëhet nga e para me fondet tona, pavarësisht se çarja në njërën anë është përgjegjëse e kompanisë ndërtuese. Aktualisht pezullimi i kalimit në rrugën Rrëshen-Kalimash është bërë për efekt të punimeve në tunel, i cili pritet të hapet brenda muajit maj.

Tejkalimi i shpenzimeve

Për vitin që lamë pas, Ministria e Punëve Publike dhe Transportit doli me përllogaritjen se kilometri i rrugës Rrëshen-Kalimash kishte kushtuar afro 15 milionë dollarë, ose 2 milionë dollarë më tepër sesa plani. Për këtë tejkalim të shpenzimeve, Financat kërkuan sqarime nga Transportet, por deri tani nuk është mësuar arsyeja e shpenzimeve të tepërta.
Nisur nga ky fakt, rruga jo vetëm që vijon të financohet, por po kapërcen edhe parashikimet e planit. Kështu, Financat kishin planifikuar një fond prej 3 miliardë lekësh, të mjaftueshme për investimin si 3-mujor, por në fakt u nevojitën më shumë. Shpenzimet për rrugën gjatë periudhës janar-mars arritën në rreth 5 miliardë lekë, ose 64 për qind më shumë se plani”, - sqaron Ministria e Financave.

Investimi
Si tremujor, institucionet shtetërore kanë mundur të kryejnë rreth 14 miliardë lekë investime publike, kur plani ishte për 16 miliardë lekë, pra 2 miliardë lekë më pak (aq sa Durrës-Kukës kishte marrë më tepër). Për të gjithë vitin, pa marrë në konsideratë planin e rishikimit të buxhetit, qeveria ka në dispozicion rreth 86 miliardë lekë fonde për investime, ndërsa deri tani ka kryer vetëm 16 për qind të planit vjetor. Sa i takon deficitit buxhetor, niveli i parashikuar është realizuar në masën afro 6 milionë dollarë, ose më saktë, kaq është masa e kursyer, si efekt i mosrealizimit në kohë të shpenzimeve. Qeveria nuk e ka vendosur ende se si do të veprojë me planin e ngrirjes së 250 milionë dollarëve të parashikuar në buxhet. Rishikimi i shpenzimeve u propozua nga ministri i Financave, pas fakteve me rritjen ekonomike, të cilat nuk nxisnin të mjaftueshme të ardhurash sipas parashikimit. Plani do të vihet në zbatim ose jo, vetëm pasi të ketë kaluar 6-mujori i parë, duke parë rezultatin e situatës ekonomike.

10 Maj 2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›