Brenda në çadra, aty ku luftohet me uri
Nga Lorenc VANGJELI
Disa orë brenda sakrificës ekstreme të deputetëve socialistë dhe mbështetësve të tyre. Çfarë ndodh në 24 orët e gjatë të një ditë-nate të grevës së urisë. “MAPO” sjell dëshmitë e protagonistëve që kërkojnë të ndryshojnë përfundimisht raportin e qytetarit me votën: “Duam votën e lirë, asgjë më shumë, asgjë më pak!”.
Gjatë ditës është tmerrësisht vapë. Të merret fryma. Gjatë natës i ftohti është therës. Të dridhen dhëmbët. Mes këtyre ekstremeve të padurueshme dhe dramës së pabesueshme njerëzore që po konsumohet në bulevardin mes të ndërtesës së qeverisë dhe të Kuvendit, gdhihen ditët dhe ngrysen netët e grevistëve opozitarë të urisë. Gra e burra, një masë kompakte besimi dhe kuraje, kanë vendosur të sfidojnë me uri pushtetin e kundërshtarit të tyre politik, Sali Berisha.
Slogani i vjetër i socialistëve “Hap kutitë, ose ik!”, në çadrat ku ata kanë mbyllur veten prej ditësh, është flamuri i tyre. Në fakt janë të rrethuar nga shumë flamuj; Flamuri Kombëtar kuqezi, ai i partisë së tyre, flamuri i Europës së Bashkuar dhe i NATO-s, janë vendosur në muret prej mushamaje të çadrave; të tjerë flamuj më të vegjël ndodhen pothuaj në shpinoren e krevatit të secilit grevist. “Kur ka dhembje flamuri të bëhet si ikonë. Para se të fle lutem përpara tij”. Këto fjalë që çdo kund tjetër do të tingëllonin si retorikë, i thotë një mesoburrë. I thotë me një dialekt nazik shkodran, por nuk pranon të tregojë emrin. “E kam regjistruar nga të parët emrin tim në grevë dhe nuk kam frikë t´ia them gjithë botës, se grevë urie na ka detyruar të bëjmë Sali Berisha edhe në shtëpitë tona. Nga papunësia. Nga varfëria që na ka zënë fytin e po na mbyt si grepi krapin. Si unë mendojnë të gjithë këtu, ndaj mos ma thuaj emrin në revistë se jam një si gjithë këta që sheh përreth”, - thotë shkodrani. Ka tipare të mprehta dhe çuditërisht, ndryshe nga stereotipi i vjetër i grevistëve të urisë, e ka rruar mjekrën. Mban të veshur një t-shirt gjithashtu kuq e zi dhe në lëvizjen e pakta që bën në shtratin e tij, ngjan gjithashtu si një flamur. “Hyra këtu me këmbët e mia, por nuk dal gjallë pa marrë atë që kërkojmë”, - thotë ai. Dorën e majtë e mban të mbledhur grusht. Ka dhembje. Herën e tretë që i kanë bërë serum, ia kanë gjetur me vështirësi venën. “Nuk kishte faj doktori, por nuk ka si të më gjejë venën se më ka hipur i gjithë gjaku në kokë nga inati”, - bën humor ai. Dhe po të jetë humori një veçori vetëm shkodrane, gjithashtu në mënyrë të pabesueshme, të gjithë grevistët e ardhur nga gjithë Shqipëria do të ishin me siguri shkodranë. Sepse brenda çadrave kishte shumë humor. Qeshin të gjithë!
Targeti kryesor i humorit të tyre ishte “komshiu”, siç i thërrisnin ata kryeministrit të vendit që e ka zyrën vetëm pak metra larg tyre. Emrat e tjerë që ata përdornin për të thirrur kryeministrin ishin në çdo moment larg “lejes” etike për t´i përdorur në shtyp. Tiran, ishte mbiemri më i “lehtë” për të shoqëruar emrin Sali, një emër mbiemër që konsiderohej nga të gjithë si arsyeja kryesore e ngujimit të tyre në uri dhe për më shumë, si arsyeja e parë se pse Shqipëria ka mbetur ende e fundit në rrugëtimin e mundimshëm të saj drejt Europës.
“MAPO” ka mundur të sigurojë një leje pakminutëshe për të hyrë në ambientet e brendshme të grevës. Por disaminutat e lejes zyrtare nga organizatorët e grevës së urisë u bënë krejt papritur orë dhe ikja prej çadrave ishte trishtim. Jo thjesht për bindjen e thellë të atyre njerëzve opozitarë në vetësakrificë, por për atë forcë të pabesueshme që vetë thelbi i qenies njerëzore merr në emër të bindjes e për hir të bindjes.
Te “portat”
Një leje e konfirmuar disa herë bën të mundur të hapen fletët e çadrave ku ndodhen grevistët e urisë. Në hyrje, stafi që garanton rregullin në ambientet e brendshme të grevës së urisë është i gatshëm që të kontrollojë deri dhe xhepat e vizitorit. Asnjë gjë e ndaluar nuk duhet të hyjë brenda. Deri dhe çamçakëzët e zakonshëm janë shpallur “non grata” në mënyrë absolute brenda çadrave. Madje, një gjë e tillë ka shkuar deri në mani: veshjet që familjarë të grevistëve dërgojnë për të afërmit e tyre në grevë nxirren nga çantat plastike dhe hapen një nga një. Shkunden fort dhe personi përgjegjës i stafit i kthen ato në dy drejtime, njëherë nga dritaret e Këshillit të Ministrave, njëherë nga ato të Kuvendit të Shqipërisë. Në të dy këto godina, ditë dhe natë, kamera – të dukshme edhe me sy të lirë – xhirojnë gjithçka ndodh në bulevard. Një kamera ndodhet në tarracën e Këshillit të Ministrave, një tjetër, në dritaren e parafundit të katit të katërt të ndërtesës së godinës së Kuvendit. Protestuesit thonë se është zyra e zotit Fatos Beja.
Një botë e re, gratë
Kontrolli përfundon dhe mbas një hapi hyn në një botë tjetër. Bota e zakonshme, jeta rutinë e Tiranës së dikurshme mbetet pas. Shuhet, tretet dhe asgjësohet pikë mbas pike në ato dhjetëra metra katrorë të mbuluara me çadra. Brenda është një botë krejt tjetër. E pakrahasueshme me asgjë tjetër. E pamundur të përshkruhet me fjalë, e pamundur të depërtojë në kamera. Ajo që e bën tmerrësisht të veçantë atë sipërfaqe është një lloj ajri krejt tjetër; një ajër i ngarkuar me dhembje, dashuri e urrejtje, forcë dhe pafuqi, lot dhe të qeshura pa fund. Dhe solidaritet. “Është nga lulet”, - qesh Olta Xhaçka, deputetja më e re socialiste, në grevë urie që ditën e parë. Mes kaçurrelave të dendur ka fshehur një karafil dhe vazhdon të qeshë. Ka kaluar keq ditën e parë të grevës, ka pasur probleme me tensionin, tani thotë se ka probleme me adrenalinën: “Jam gati të marr pjesë në maratonë vrapimi - qesh sërish - megjithëse ne jemi të përgatitur për maratonën tonë politike dhe nuk ka gjë në botë që të na pengojë deri në vijën e finishit. Sepse finishi ynë do të jetë një start i ri, për një Shqipëri ndryshe nga kjo që kemi sot”, - thotë ajo. Shpjegon se kur erdhi në Shqipëri më shumë se një vit më parë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, e shihte vazhdimisht në ëndërr Tiranën. Tani sheh në ëndërr kampusin universitar ku ka marrë një arsimim të zgjedhur. “Sepse Shtetet e Bashkuara vazhdojnë të jenë ëndrra jonë”, - thotë ajo dhe shoqet e saj e pohojnë me kokë.
Në pjesën jugore të çadrave, zonën ku ndodhen të gjitha gratë e mbyllura në uri, Shtetet e Bashkuara ngjajnë më shumë se një ëndërr. Më shumë se një model. Më shumë se një shpresë. Shtetet e Bashkuara janë një besim; janë simbol i lirisë dhe demokracisë për ato gra që po sakrifikojnë për hir të lirisë dhe demokracisë.
Shtretërit e grave janë pothuaj identikë me të gjithë shtretërit e tjerë. Portativë, me dyshekë të hollë dhe me jorganë me mbulesa me ngjyra të ndezura. Në anë të secilit një karrige e thjeshtë druri. Mbi karrige, sende të përdorimit personal, kompjuterë portativë, celularë, libra e gazeta dhe vazo me lule. Kryesisht karafila. Simboli socialist është i pranishëm kudo në një ambient, ku bindjet e përbashkëta dhe dhembja e përbashkët, kanë krijuar një socializim e solidaritet perfekt mes njerëzish që ndajnë të njëjtën bindje e të njëjtën dhembje. Janë të veshura të gjitha me t-shirt-in simbol të grevës, e kuqe dhe shqiponjë në gjoks. Por kjo është veshja e orës 18:00, kur çdo ditë, mijëra përkrahës të tyre, protestojnë pak metra më tej kundër qeverisë. Gjatë ditës ndërrohen shpesh. Duket se ky është një mjet për t´u ndjerë më pranë jetës normale, që tani iu duket vite dritë larg. E afrojnë jetën normale me kujdesin gjatë vetes dhe ua shoqërojnë me kujdesin maksimal të maxhorancës absolute mashkullore në grevë. Qëndrojnë të gjitha bashkë: Shega, Ledi, Olta, Ermonela, Elisa, Flora, Anila... Ato tani nuk kanë më mbiemra. Janë përmendur kaq pafundësisht gjatë ditëve të protestës, sa emri i tyre është shndërruar gjithashtu në një markë sfide, në një simbol të protestës së pazakontë të opozitës shqiptare.
Qëndrojnë bashkë dhe qeshin. Qeshin pa fund.
“Dy ditët e para ishin të vështira. Nga uria dhembjet e kokës ishin të padurueshme, por i duruam. Tani është më ndryshe. Kur na troket uria e kemi gjetur zgjidhjen: shkëmbejmë me njëra-tjetrën receta gatimi. Kemi shkëmbyer qindra receta të tilla se uria është këtu paprerë”, - thotë Ledi.
Nuk i kanë problem fjalë që normalisht në një ambient të tillë do të ishin “tabu”: ato përmendin fjalët uri, bukë, mish, e gjithfarëlloj ushqimesh nga të cilat ato janë ndarë me vetëdije të plotë. “Kam parë në ëndërr sikur po haja dhe më dhembte stomaku nga të ngrënët, pastaj u zgjova dhe qesha. Nuk flija dot më”. Elisa peshon më pak se 45 kilogramë. Ka qenë gjithmonë e dobët, greva me uri e ka tretur edhe më, por zërin e ka të fortë. Është e zbehtë në fytyrë. Ajo është njëkohësisht dhe problemi i madh i shoqeve të saj. “Do të pish ujë se s´bën!”. Ermonela i afrohet me një shishe me ujë dhe insiston. Elisa bindet dhe kthen shishen. Fare pak. Çdo gllënjkë me ujë i jep dhembje në fyt. “Më dhemb”, - thotë. “Do të të kalojë”, - e gënjejnë shoqet e saj. “Po”, - bën sikur bindet ajo.
Shega gjithashtu qesh. Mollëzat e saj janë çuditërisht të kuqe. Ka një dritë të fortë në sy. Lëkurën e tendosur. Reziston fort. Po përgatitet të flasë në protestë. E ka shkruar në mend të gjithë fjalën e saj. Përmend të birin dhjetëvjeçar, Aronin. “Mami, do të mbijetoni?”, - e kishte pyetur ai në telefonin e saj. “I themi këtij burrit që po hesht se ne jemi këtu në emër të jetës”, - do të thoshte Shega pak minuta më pas në protestë për t´iu përgjigjur kështu edhe të birit. Hera e fundit që do të hante ishte dita e ditëlindjes së saj. Pastaj kishte hyrë direkt në grevë, menjëherë mbas protestës gjigante të 30 prillit.
Dhe qesh. Të gjitha qeshin.
Kanë kohë pa fund të marrin seriozisht gjithë jetën e tyre. Të shkuarën. Të ardhmen. “Është e çuditshme, por në këtë botën tonë të vogël brenda fletëve të çadrës jeta merr një kuptim të jashtëzakonshëm. Tani shoh krejt ndryshe edhe gjëra që më parë nuk më bënin përshtypje. Këtu duket se prek thelbin e qenies njerëzore. Këtu mençurohesh. Këtu merr dritë”. Olta ka qenë pothuaj foshnje në dhjetor të vitit 1990, kur Sali Berisha do të niste rrugën e tij, ende të pandërprerë drejt pushtetit. “Sot nuk jemi maji i vitit 2010, sot jemi përsëri në dhjetor 1990. Jemi për të përfunduar atë rrugë të lënë në mes, atë betejë për luftën finale për liri dhe demokraci, luftën për një Shqipëri evropianë”, - thotë Olta pak minuta më pas në mikrofonin e protestës.
Dhe më pas qesh. Të gjitha gratë qeshin. Veprimet e mëdha dhe tërësisht serioze në këtë botë të zymtë, në përpjekje për ta ndryshuar këtë botë të zymtë, duket se nisin nga e qeshura.
Burrat
Fatmiri, deputeti socialist, kreu i shtabit të grevës, qëndron në këmbë. Duket më i thinjur se më parë, por jo i zbehtë. Përgjigjet vazhdimisht në celular, kurse në kompjuterin portativ që ka në karrigen pranë shtratit të tij ka lënë në mes një frazë: “... ne nuk mund të sakrifikojmë më demokracinë dhe zgjedhjet e lira e të ndershme në vendin tonë. Ajo çfarë kërkojmë është një standard që në vendet tuaja konsiderohet normal: zgjedhje të lira e të ndershme. Asgjë më shumë! Asgjë më pak...!”. Është pjesë e një letre që do të lexonte për ndërkombëtarët vetë Fatmiri. Mjekët i kanë kërkuar, si gjithë të tjerëve, që të lëvizë sa më pak, por ai ndodhet në këmbë pothuaj gjithë kohës. Nga një bashkëprotestues te tjetri. Më shpesh ndalon te pjesa jugore e çadrave, ku ndodhen gratë: Jeni mirë, motra? I është rikthyer fort dialekti karakteristik vlonjat. Me të njëjtin theks të fortë shtyn mjekun që i kërkon të bëjë serum. Po të mos e shohësh vetë me sy skenën, ajo tingëllon e pabesueshme: “Nuk dua serum. Nuk kam nevojë”. Pastaj mendon me zë: Çfarë do të mendonin të gjithë këta po të më shihnin dhe mua me serum në krah? Dhe i rikthehet sërish kompjuterit të tij dhe telefonave që nuk pushojnë. Jeta rrjedh brenda çadrave në dy kahe, nga jashtë-brenda dhe anasjelltas. Mund të jesh kundër bindjes se këtyre grave dhe burrave, por është e pamundur të mos i respektosh në dinjitetin e sakrificës së tyre. Kanë arritur pa dyshim fitoren e parë: kanë rikthyer në Shqipëri gjithë seriozitetin dhe solemnitetin hijerëndë të grevës së vërtetë të urisë.
Blendi qëndron shtrirë pothuaj gjithë kohës. Shkruan pa fund mesazhe telefonike në celular me shpejtësinë e dikujt që ka vite që punon në tastierë kompjuteri. “Nuk i njoh shumicën e numrave nga vijnë mesazhet. Erioni ka nxjerrë në FB numrat tanë të celularëve dhe njerëzit nxitojnë të na shkruajnë mesazhe solidariteti. Blendi është sëmurë. Ka diçka që kërkon një përkujdesje të vazhdueshme dhe të specializuar mjekësore. “Si reziston?”. Pyetjes i përgjigjet me pyetje: “Si rezistoj?”. Arbeni është i parruar. “Në jetë normale nuk e kam këtë shans, dua të provoj se si dukem me mjekër. Dhëmbët e bardhë e të rregullt i dallohen më qartë. Është dobësuar dhe i shtrëngon fort nofullat. Dhe pastaj qesh. Të gjithë qeshin. E pabesueshme t´i shohësh se si qeshin. Nëse nuk do t´i shihte kush me sytë e tij, pothuaj askush nuk do të ishte në gjendje të besonte se në atë vuajtje ekstreme, njerëz të bindur ekstremisht në bindjen e tyre politike mund të ishin në gjendje të qeshnin.
Iliri është nga të vetmit që nuk qesh shpesh. Ka problem me shtratin e tij. Këmbët e ish-basketbollistit deputet i dalin jashtë shtratit dhe ai paralajmëron të gjithë: “Kujdes! Këtu mund të pengoheni”. Dhe të tjerët qeshin. Lexon gjithë kohën. Flet gjithë kohën në telefon. Pyet se çfarë ndodh jashtë. “Jam mirë, jemi mirë! Edhe këtu jemi të organizuar si një komunitet me rregulla të forta, që janë të tilla, edhe pse ‘shkelen’: orari i zgjimit, orari i kujdesit për veten, leximi i shtypit, lexim librash, orari i protestës dhe në mes biseda të pafundme. Për politikë, për filozofi, fe, besim, jetë dhe gjithçka tjetër. Kur hyra këtu, nuk fola me familjarët e mi, por ata janë përkrahja ime e fortë, njëlloj si bindja ime e fortë se jemi në udhë të drejtë”, - thotë Iliri.
Erioni shkruan në kompjuterin e tij portativ. Po u përgjigjet pyetjeve të “MAPO”-s. Në karrige ka kartëvizitën e një gazetari të BBC-së. Në të njëjtën kohë dëgjon muzikë me kufje. Arbeni e Taulanti, të kthyer nga Brukseli, qëndrojnë shtrirë. Pirro dhe Eltari janë në gjumë. Grevistët që kanë marrë ndihmë emergjente mjekësore janë rikthyer në grevë. Mjekja deputete nga Durrësi, Romeoja, të gjithë.
Të tjerët, dhjetëra burra, deri dje heronj të panjohur të shpërndarë nga veriu në jug, vazhdojnë jetën e mundimshme të grevës. Mira, një ish-emigrante që papritur në transmetimin direkt të Shqip-it të Xhungës u bë e njohur për mënyrën e veçantë të të folurit, gjithashtu qëndron mbi kompjuter. Mjeke me profesion, ajo po shkruan një letër të hapur për ish-kolegun: Kush je ti Sali Berisha?
Kuptohet se ka ardhur nata sepse po bëhet gjithmonë e më ftohtë. Stafi ndihmës nis të ndezë bombolat e gazit. Përpiqen të bëjnë sa më pak zhurmë. Por pllakat e zeza e drejtkëndëshe të bulevardit janë akull të ftohta. Dikur, ky bulevard që mban emrin “Dëshmorët e Kombit” ishte shndërruar në simbol të regjimit të shkuar; sot është dyshemeja më e habitshme e “shtëpisë” së 202 njerëzve që kanë vendosur të sfidojnë pushtetin. Mbi këtë bulevard regjimi nxirrte tanket në paradat e dikurshme ushtarake apo parakalimet rutinë të 1 Majit. Viti i lodhur 2010 e përcolli 1 Majin qindra metra më tej për ta kujtuar ditën e protestës qeveria me festë. Grevistët e urisë po i vënë emrin e tyre tani bulevardit. Prej ditësh mbi pllakat e tij po luhet drama e madhe e sakrificës. E urisë në emër të transparencës. Është mesnatë! Nesër do të jetë një ditë e re! Tek-tuk dëgjohen sërish të qeshura. Po të mos i dëgjosh me veshët e tu, nuk do të mund besohej se mund të qeshej në atë mestrishtimi e force të pafundme. Jashtë mbeten qindra përkrahës së grevistëve. Ata qëndrojnë aty deri në agim, kur bashkë me diellin lind shpresa e ditës së re.
Marrë nga revista “MAPO”
10 Maj 2010