Projekti, BB financon pastrimin e Porto Romanos
Përmes një projekti të Bankës Botërore, një kompani e kontraktuar filloi punën të enjten për të pastruar zonën e ndotur të Porto Romanos në veri të Durrësit nga mbetjet toksike të trashëguara nga industria e falimentuar kimike e kohës së komunizmit. Punimet do të kryhen në ish-fabrikën e Lindanit, një agjent kimik që përdoret përgjithësisht si pesticid në bujqësi. “Pastrimi i Porto Romanos është një komponent i Projektit të Menaxhimit të Integruar të Bregdetit dhe Pastrimit, i cili ka filluar në nëntor 2005. Komponenti i Porto Romanos synon të rehabilitojë zonën e ndotur të ish-fabrikës, duke shkatërruar dhe gërmuar materialet e ndotura dhe duke i depozituar ato në një zonë të sigurt dhe të mbrojtur. Më herët, në maj 2006, qeveria e Holandës akordoi paralelisht edhe 1 milion euro për ripaketimin dhe asgjësimin e sigurt të mbeturinave kimike të depozituara në Bishtin e Pallës. Mbetjet e ripaketuara do të asgjësohen në një fabrikë të specializuar në Gjermani”,- njoftoi BB-ja.
Çmimi i karburanteve bie në bursa, në vend ende jo
Tregu i karburanteve në botë ka pësuar ulje të çmimeve, ndikuar kjo nga pasiguria e financave në disa vende të BE-së. Nga 80 dollarë për fuçi që ishte 5 ditë më parë, nafta dje në bursat ndërkombëtare u shit për 77 dollarë, pra një ulje drastike. Dollari vijon rritjen, duke u kuotuar dje në raport me monedhën vendase me 107 lekë. Në tregun e pakicës, nafta pësoi rritje mesatare prej 7 lekësh për litër, ndërsa priteshin zhvillimet në tregjet ndërkombëtare. Aktualisht, një litër naftë kushton deri në 145 lekë, ndërsa një litër benzinë deri në 155 lekë. Çmimet e karburanteve janë shtrenjtuar ndjeshëm, ndërkohë që një vit më parë çmimi arrinte në 125 lekë. Kohët e fundit vërehet një rritje prej 5-10 lekë për litër, si për naftën edhe për benzinën. Aktualisht, një litër naftë e një cilësie të mirë në tregun vendas ka arritur të tregohet me 145 lekë, ndërkohë një litër benzinë shitet edhe më shtrenjtë, rreth 150 lekë.
10 Maj 2010