Policia i shkruan PS-së: Duhet të lironi bulevardin
Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë i është drejtuar me një letër të posaçme kryetarit të Partisë Socialiste të Tiranës, Besnik Baraj, për mitingun maratonë. Shkresa që mban datën 2 maj 2010 thotë se “ju falënderojmë për vlerësimin pozitiv që i bëni punës së Policisë së Shtetit dhe Ju garantojmë se ashtu si deri tani bashkëpunimi, angazhimi dhe korrektësia në zbatim të ligjit do të jetë një konstante në punën e policisë”. Në korrespodencat tona të mëparshme, vijon letra, Ju kemi sqaruar se ligji “Për Tubimet” nuk lejon zhvillimin e tubimeve disaditore. “Në zbatim të nenit 5 të ligjit të mësipërm, ju kemi sqaruar se për çdo ditë tubimi, Ju duhet të dërgoni në Drejtorinë e Policisë së Qarkut një njoftim më vete, gjë e cila nuk ka ndodhur deri tani, duke shkelur parashikimet e neneve 5 dhe 7 të ligjit nr.8773, datë 23.04.2001 “Për Tubimet”’, thuhet në shkresë. Policia thotë se bllokimi i bulevardit “Dëshmorët e Kombit” ka cenuar rëndë situatën e trafikut rrugor në qytetin e Tiranës në këtë fundjavë dhe vazhdimi i bllokimit të tij edhe më tej kur trafiku rrugor shtohet, do vazhdojë ta përkeqësojë gjendjen”. Policia kujton se vënia e pengesave dhe ndalimi me çdo mjet e mënyrë i qarkullimit të mjeteve të transportit automobilistik, përbën vepër penale të parashikuar nga neni 293 i Kodit Penal. “Sa më sipër, rikërkojmë mirëkuptimin Tuaj për zhbllokimin e rrugës dhe krijimin e mundësive për normalizimin e trafikut rrugor në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, përfundon shkresa e firmosur nga Tonin Vocaj.
#