E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia kufitare e BE-së merr në dorë kufijtë e Greqisë



ATHINË - Greqia ka kërkuar ndihmën e BE-së në mënyrë që të ndërpresë fluksin e madh të emigrantëve ilegalë që hyjnë në vend nga kufijtë detarë dhe ujorë të Turqisë. “Pas dy letër-kërkesave që ka drejtuar Athina ndaj Brukselit, grupe të forcës së ndërhyrjes së shpejtë, FRONTEX, do të përhapen përgjatë kufijve me Turqinë dhe do të veprojnë sipas udhëzimeve të organeve greke”, - ka sqaruar komisionerja e Çështjeve të Brendshme, Sesilia Malstrom. Është hera e parë që kjo forcë do të operojë në një vend të Bashkimit Europian qysh prej krijimit të saj në vitin 2007. Komisioni Europian ka deklaruar se kohët e fundit numri i emigrantëve të paligjshëm që hyjnë në Greqi me destinacion vendet e BE-së ka marrë përmasa shqetësuese, sidomos përgjatë kufijve greko-turk, me anë të lumit të Evros në Trakë. Vetëm në tremujorin e dytë të këtij viti, në Greqi është gjashtëfishuar numri i emigrantëve nga Afganistani. Në të njëjtën periudhë, 90 për qind e emigrantëve që përpiqen të hyjnë në vendet e BE-së kanë kaluar kufijtë tokësorë grekë. Më shumë se gjysma e tyre, rreth 9500 persona, kanë qenë emigrantë shqiptarë që vijnë në Greqi për punë sezonale, ndërsa të tjerët kanë pasur destinacion vendet e Bashkimit Europian.
Çështja e emigracionit ilegal ka qenë në qendër të bisedimeve të kryeministrave të dy vendeve disa ditë më parë në Athinë, ku Papandreu dhe Erdogan kanë rënë dakord për zbatimin e një iniciative të përbashkët për të luftuar kundër këtij fluksi gjithnjë e në rritje të emigrantëve ilegalë, të cilët vijnë nëpërmjet Turqisë, drejt Greqisë dhe Europës.

26 Tetor 2010

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›