E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia kufitare ndalon 291 emigrantë të paligjshëm

08/12/2008  Flet kreu i policisë Gjirokastër

Policia Kufitare e Gjirokastrës ka prapësuar gjatë muajit të kaluar 291 shtetas shqiptarë, të cilët tentonin të kalonin ilegalisht drejt Greqisë. Drejtori i drejtori i Policisë rajonale të Kufirit dhe Migracionit për qarkun e Gjirokastrës, Vasil Valera, pohoi për gazetën "Metropol" se, të gjithë këta shtetas, kanë tentuar të kalojnë kufirin e gjelbër gjatë muajit nëntor të këtij viti, përmes një mekanizmi që është mjaft i njohur, por që ka gjetur kundërshtinë e ligjit nga uniformat blu të kufirit. “Ajo që ka rënë në sy gjatë muajit nëntor, është se janë kapur dhe arrestuar më pas dy persona, të cilët kanë qenë organizatorët e një trafiku të mirëorganizuar të klandestinëve”, tha Valera, duke shtuar se numri i klandestinëve që nuk janë lejuar të kalojnë ilegalisht drejt Greqisë, ka njohur një rënie të lehtë në krahasim me muajt e verës. Sipas tij, struktura të policisë kufitare gjatë muajit nëntor kanë treguar një vëmendje maksimale për parandalimin dhe goditjen e veprimtarisë së mundshme kriminale, trafiqeve të paligjshme, të lëndëve narkotike, të qenieve njerëzore, trafikimit të fëmijëve, automjeteve që mund të zhvillohen në kufirin e gjelbër me shtetin fqinj, përmes të dyjave pikave kufitare të rajonit jugorë: Kakavijë (Gjirokastër) dhe “Tri Ura” (Përmet). “Dy rastet e kapjes së drogës afro 190 kg në tentativë për të kaluar drejt Greqisë, si dhe kapja e njërit prej trafikuesve të lëndëve narkotike, janë tregues i një lufte pa kompromis që zhvillon drejtoria jonë karshi fenomeneve të paligjshme që gjenerojnë”, është shprehur Vasil Valera.

Për të parandaluar rastet e mundshme abuzive nga punonjësit e policisë kufitare në të dyja nyjet ndërkombëtare, apo për të denoncuar rastet korruptive, drejtori i Policisë Kufitare dhe Migracionit Vasil Valera, ka vënë në dispozicion të qytetarëve, numrin personal të celularit, i cili ndodhet i afishuar në të gjitha pikat e kalimit kufitarë.

Në prag të mbërritjes së Vitit të Ri, ku fluksi i emigrantëve pritet të rritet është menduar që të ndërmerret një koordinim i veprimeve për të mos krijuar radhë, duke shtuar edhe sportele shtesë.

Edi Molla

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›