E Shtunë, 31 Tetor 2026

Aksidenti me djalin e Ruçit, Apeli: 6 muaj burg Edi Likës

Nga aksidenti i ndodhur te Rruga e Elbasanit

TIRANE Gjykata e Apelit vendosi lënien në fuqi të vendimit të fajësisë ndaj Edi Likës (Cani), si shkaktar i një aksidenti automobilistik, ku u përfshi dhe Ledio Ruçi, djali i deputetit Gramoz Ruçi. Lika ishte drejtuesi i automjetit Mini Cooper, që u përplas me një BMW X6, të drejtuar nga Ledio Ruçi. Në këtë aksident mbeti e vdekur 28-vjeçarja Brunilda Pinderi dhe u plagosën lehtë personat e tjerë që ndodheshin në dy automjetet. Dy ditë më parë, një treshe gjyqtarësh të Apelit, e relatuar nga gjyqtari Astrit Haxhialushi, vendosi të lërë në fuqi vendimin e shpallur më 24 shkurt 2011, sipas të cilit Lika u dënua me 6 muaj heqje lirie. Lika u deklarua i fajshëm për veprën penale të shkeljes së rregullave të qarkullimit rrugor. Në të njëjtin vendim, Gjykata e Shkallës së Parë i hoqi Likës të drejtën e drejtimit të automjeteve për një periudhë dyvjeçare. Aksidenti rrugor, ku u përfshi edhe automjeti i Ledio Ruçit, ndodhi mbrëmjen e 20 nëntorit 2011 te ura e Lanës, në nisje të Rrugës së Elbasanit, në Tiranë. Pas hetimit gjyqësor rezultoi se shkaktar i aksidentit ishte automjeti i drejtuar nga shtetasi Edi Lika, pasi ishte futur në kryqëzim me semafor të kuq. Drejtuesi i autoveturës tip BMW X6, lëvizte në drejtimin nga Parlamenti drejt Liceut Artistik, me një shpejtësi lëvizjeje 50 km/h dhe drejtuesi i Mini Cooper dilte nga  ETC-ja  drejt Bërrylit, me një shpejtësi 70 km/h.  Meqenëse ky kryqëzim është me semafor dhe faktit tjetër që shpejtësitë e lëvizjes, kanë qenë pothuajse të përafërta, aksidenti ka ndodhur në sekondën psikike dhe ata nuk kanë pasur mundësi të shmangnin aksidentin. Duke u bazuar te fakti se aksidenti ka ndodhur natën, atëherë drejtuesi i autoveturës tip Mini Cooper, i cili lëvizte në bulevardin Bajram Curri duhet ti jepte përparësinë mjetit që vinte nga e majta, pasi ai kishte semaforin e kuq dhe i ishte ndaluar lëvizja, thuhej në vendimin e Gjykatës. Po sipas Gjykatës, fajësia e të pandehurit Edi Lika për veprën që akuzohej ishte plotësisht e provuar. Njëkohësisht, gjatë gjykimit, i pandehuri e ka pranuar fajësinë.   ar.ba

Shkeljet e Likës
Referuar vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë, në momentin e aksidentit, Edi Lika, drejtues i Mini Cooper-it, ka thyer dy norma. Ai nuk ka zbatuar sinjalistikën e ndritshme, sinjalistikën horizontale dhe vertikale, pasi lëvizja e tij në kryqëzim nga rikëqyrja rezulton me semafor të kuq. Shkelja e dytë është tejkalimi i shpejtësisë në qendër të banuar.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›