E Shtunë, 31 Tetor 2026

Asnjë incident me minoritarët në Gjirokastër

PRONONCIMI/ Drejtues të qytetit e shkollave mohojnë zërat për probleme gjatë festë kombëtare grekeGJIROKASTËR- Drejtues të arsimit dhe forcave politike që përfaqësojnë minoritetin grek në Gjirokastër kanë hedhur poshtë versionin e një incidenti të ndodhur ndërmjet fëmijëve shqiptarë e grekë në ditën e festës kombëtare të Greqisë. Të kontaktuar për gazetën “Shekulli” ata thanë se gjithçka ka qenë një debat banal ndërmjet dy nxënësve dhe se nuk mund të bëhet absolutisht fjalë për një incident. Spiro Ksera, kryetar i degës lokale së Partisë së Bashkimit të Drejtave të Njeriut në Gjirokastër është shprehur: “Nuk ka absolutisht asgjë të vërtetë. Ishte diçka banale që nuk ia vlen të përmendet, pasi gjithçka kishte të bënte me dy fëmijë që shkëmbyen fjalë ndërmjet tyre”. I njëjti version vjen edhe nga drejtori i Drejtorisë Arsimore Rajonale Gjirokastër, Vasil Muka, sipas të cilit e gjithë ceremonia është kryer sipas parashikimeve. “Nuk ka pasur asnjë problem. Ajo që është cilësuar si incident, janë vetëm lojëra fëmijësh që ndodhin çdo ditë në shkollat tona. Ceremonia u organizua në kuadër të festës kombëtare të Greqisë dhe gjithçka ka kaluar në normalitet të plotë”. Ndërsa për Katerina Dinon, zëvendësdrejtore e shkollës 9- vjeçare “Urani Rumbo”, prej së cilës varet edhe shkolla greke në Gjirokastër, është shprehur se nuk është në nderin e askujt të krijojë situata të paqena. “Ceremoninë e planifikuar ne e kemi organizuar pa asnjë lloj problemi. Në fund të ceremonisë kemi kënduar edhe himnin kombëtar grek. Në momentin kur nxënësit ishin duke hyrë në shkollë, një gjimnazist ka folur diçka nga dritarja e klasës së tij. Menjëherë shkuan mësuesit dhe gjithçka u mbyll këtu. Nuk ka pasur asnjë lloj incidenti dhe besoj se nuk është në nderin e askujt të sajojë situata të tilla të paqena”,- deklaroi Dino për gazetën “Shekulli”. Nga ana tjetër, edhe drejtori i shkollës së mesme “Siri Shapllo”, që ndodhet në të njëjtën godinë me shkollën 9-vjeçare greke, Panajot Qurku, i kontaktuar mohoi absolutisht praninë e një incidenti në këtë ambient mësimor. “Nuk ka ndodhur absolutisht asgjë. Dy veta, nxënës që kanë shkëmbyer pak fjalë me njëri-tjetrin. Absolutisht nuk bëhet fjalë për një incident”, deklaroi Qurku. Në ditën e festës kombëtare të Greqisë të ‘Jo”-së, që lidhet me fillimin e luftës italo-greke, krahas aktiviteteve të shumta që zhvillohen për çdo vit nga anëtarët e komunitetit grek në Gjirokastër, nxënësit e shkollës 9-vjeçare publike greke organizuan një ceremoni. Shkolla 9-vjeçare greke funksionon qysh prej vitit 1996 dhe është e vetmja e llojit publik në qytetin e Gjirokastrës. Në të arsimohen 143 nxënës.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›