E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministri Bode: Projekti i Jalit do të vazhdojë

Pavarësisht skandalit me projektin e Jalit, minsitri i Financave Ridvan Bode ka deklaruar sot se projekti do të vazhdoje. Sipas ministrit nuk mund të penalizohet një projekt i tillë për shkak të gabimeve të brendshme të Bankës Botërore. 

TIRANE- Pavarësisht problemeve dhe skandalit me projektin e Jalit, Ministri i Financave Ridvan Bode ka deklaruar se projekti do të vazhdojë. Sipas Bodes, situata e krijuar ka ardhur për shkak të problemeve të brendshme të Bankës Botërore, por të cilat nuk do të pengojnë projektin.

“Bordi i guvernatorëve i kërkojë menaxhimit të bankës që projekti të vijojë, duke bërë vetëm një ristrukturim e njërit prej komponentëve nga gjashtë të tillë që ka projekti. Ideja e vijimit të projektit ka qenë tërësore. 24 guvernatorë nga 25 që përfaqësojnë rreth 105 vende të botës kërkuan me çdo kusht vijimin e projektit dhe mos penalizmin e Shqipërisë për gabime të brendshme të bankës”- u shpreh ministri Bode.

Bode ka theksuar se prishja e ndërtimeve ka ardhur me kërkesë të Bankës Botërore, “ka qenë vetë kërkesë e bankës për të bërë prishjen e ndërtimeve pa leje në mënyrë që projekti të zhvillohej sipas parametrave”.

E ndërsa Banka Botërore, ka bërë të ditur se do të dëmshpërblejë banorët e dëmtuar, ministri i Financave Bode tha se, dëmshpërblimi i qeverisë do të vijë vetëm nëse janë prishur ndërtime me leje.
“Qeveria në të gjitha rastet kur dëmton në mënyrë të paligjshme pasurinë e individëve është e detyruar të dëmshpërblejë”.-tha Bode. (a.r/news24/balkanweb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›