E Shtunë, 31 Tetor 2026

Turqi, lufta e pushtetit mbledh më të fortët e vendit



Krerët më të lartë të politikës dhe të forcave të armatosura në Turqi u takuan dje, në përpjekje për të ulur tensionet e acaruara së tepërmi mes Ushtrisë së fuqishme dhe Qeverisë. Situata arriti kulmin pas arrestimit të dhjetëra ushtarakëve dhe ish-ushtarakëve me akuzat e organizimit të një grusht shteti. Nga 50 ushtarakët e arrestuar, mbetën në burg rreth 20 prej tyre, si të përfshirë në një plan për të rrëzuar Qeverinë e Kryeministrit, Rexhep Tayip Erdogan, e cila është formuar që në vitin 2003. Prokurorët thanë se ushtria në atë kohë kishte synim të provokonte kaos për të justifikuar rrëzimin e qeverisjes së Partisë për Drejtësi dhe Zhvillim,(AK), e cila erdhi në pushtet në vitin 2002. Ushtria turke e konsideron veten një mbrojtëse të traditave sekulariste të vendit dhe ka marrëdhënie të tendosura me partinë Ak, e cila i ka rrënjët në islam. Dje, Presidenti Abdullah Gul, Kryeministri Rexhep Tayip Erdogan dhe Komandanti i Përgjithshëm i Ushtrisë, Gjenerali, Ilker Basbug, u takuan në Ankara për të vlerësuar situatën. Ata shqyrtuar arrestimin e tre ish gjeneralëve më të lartë të vendit, të gjithë ish-komandantët dhe elementët e lartë ushtarakë, të cilët u paraqitën në Gjykatë për të mësuar nëse procedurat e prokurorisë kundër tyre do të vazhdonin. Marrëdhëniet mes komandantit të forcave të armatosura, Ilker Basbug, dhe Kryeministrit Erdogan me Presidentin Abdullah Gul, kanë qenë prej kohësh të tensionuara. Ushtria turke u përpoq të parandalonte zgjedhjen e Gul si President i vendit rreth tre vjet më parë, pasi edhe ai është anëtar i partisë islamike të Erdoganit. Kryeministri i Turqisë vlerësoi se takimi i tij me komandantin e forcave të armatosura dhe me Presidentin ka kaluar “shumë mirë”. Në deklaratën për mediat pas këtij takimi, është theksuar se problemet duhet të zgjidhen brenda ligjit. Me paditjen e 20 oficerëve të ushtrisë, Qeveria e Erdoganit po përballet me testin më të fortë me forcat e armatosura.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›