“Kashari”, 43 vjet burg 7 të akuzuarve
Fatos Mahmutaj
Abuzimi me pronat në komunën e Kasharit do u kushtojë 43 vjet burg dhe 35 milionë lekë gjobë 7 pandehurve të parë të dosjes “Kashari”. Gjykatësi Sokol Tona, dje në Gjykatën Penale të Tiranës gjeti fajtorë të pandehurit, për abuzimin me 34 sipërfaqe të ndryshme tokash në këtë komunë, ndërsa në total sipërfaqja e saj shkon në 18 hektarë. Gjatë shpalljes së vendimit gjykata argumentoi për rreth dy orë, se të pandehurit i kishin konsumuar veprat penale për të cilat akuzoheshin, por aplikimi i gjykimit të shkurtuar në këtë proces bëri që të merreshin parasysh edhe një sërë rrethanash të tjera lehtësuese në ngarkim të së akuzuarve. Togat e zeza vlerësuan se në llojin dhe masën e dënimit si rrethanë rënduese ishte fakti i kryerjes së veprave penale në bashkëpunim mes të pandehurve dhe më shumë se njëherë, ndërsa si rrethana lehtësuese vlerësoheshin mosha e tyre, gjendja e vështirë ekonomike për disa, familja, gjendja shëndetësore dhe fakti që ata nuk janë dënuar më parë. Të pandehurit, banorë të fshatit Kashar, ish-kryekomunarë, ish-kryepleq, si dhe kushërinj të tyre, u shpallën fajtorë se në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë falsifikuar dokumente në 34 raste, shpërdoruar detyrën, kanë kryer korrupsion pasiv, mashtruar duke shkaktuar pasoja të rënda, si dhe pastruar produkte të veprës penale, veprime, një pjesë të së cilave janë kryer që nga viti 2000. Të shtatë të pandehurit e kësaj çështjeje: Alfred Sula, Bardhyl Kamberi, Faik Fejza, Islam Shera, Ismail Sula, Shefqet Alikaj dhe Xhevahir Hyka dëgjuan në heshtje vendimin e gjykatës, pas të cilit morën në total 43 vjet burg dhe 35 milionë lekë të reja gjobë. Ndërkohë, prokuroria kishte kërkuar për ta 55 vjet burg e 49 milionë lekë gjobë. Në fakt, gjykata akordoi dje për 7 të pandehurit, në total, 43 vjet burg dhe 35 milionë lekë gjobë, por aplikimi i gjykimit të shkurtuar si pasojë e pranimit të akteve nga të akuzuarit u bë shkak që të përfitonin ulje të një të tretës së dënimit. Ndërkohë tre ish të pandehur në këtë gjykim, Naim (Neim) Karaj, Ruhi Valisi dhe Ismail Bakalli po gjykohen në dy procese të tjera, po me gjykim të shkurtuar. Dosjet për ta u ndanë gjashtë muaj më parë për shkak të moskoordinimit të kërkesave procedurale nga mbrojtësit e tyre. Gjykata pohoi dje se veprimet e të pandehurve me falsifikimin e dokumentacionit të tokave në Kashar shpeshherë kanë shkaktuar konflikte mes banorëve. Po kështu, në Gjykatën e Tiranës aktualisht po zhvillohen disa procese civile të banorëve të prekur nga veprimet e të pandehurve.
Dosja “Kashari”
Dënimet
Alfred Sula 9 vjet burg e 9 mln lekë gjobë
Bardhyl Kamberi 3 vjet burg e 3 mln lekë gjobë
Faik Fejza 6 vjet burg e 7.5 mln lekë gjobë
Islam Shera 4.5 vjet burg e 2 mln lekë gjobë
Ismail Sula 10 vjet burg e 1.5 mln lekë gjobë
Shefqet Alikaj 4.5 vjet burg e 6 mln lekë gjobë
Xhevahir Hyka 6 vjet burg e 6 mln lekë gjobë
Në gjykim
Naim (Neim) Karaj
Ruhi Valisi
Ismail Bakalli
Akuzat
“Falsifikim i dokumenteve nga personi që ka për detyrë lëshimin e tyre, kryer në bashkëpunim”
“Shpërdorim detyre”
“Pastrim i produkteve të veprës penale”
“Mashtrim me pasoja të rënda”
“Korrupsion pasiv i të zgjedhurve vendorë”