Policia ndalon vëllain e kandidatit për deputet. Suli: Nuk dua të besoj se ishte e qëllimshme
Ndalohet dhe mbahet i izoluar për disa orë në Drejtorinë e Policisë së qarkut të Tiranës vëllai i Rakip Sulit, kandidat i Partisë Socialiste në Tiranë.
Seit Suli, 40 vjeçar, është mbajtur më shumë se 4 orë në ambientet e birucës së drejtorisë së Tiranës pa asnjë motiv ligjor.
Kanë qenë dy furgona policie, të cilët kanë ndaluar e më pas shoqëruar në komisariat vëllain e kandidatit për deputet rreth orës 18-të të ditës së djeshme.
Suli në momentin e ndalimit ndodhej nën shoqërinë e miqve të tij, megjithatë nuk ka bërë asnjë rezistencë dhe i është bindur forcave të policë.
I vetmi argument i thënë nga uniformat blu ka qenë ai e ndalohej pas një sherri në Kodër Kamëz.
Për gazetën TemA, Seit Suli tregon se nuk ka pasur asnjë konflikt me askënd.
Atë që policia e Tiranës e ka konsideruar një sherr në Kodër Kamëz, për Seit Sulin ishte thjesht një bisedë me tre djem, të cilët ai nuk i njeh.
Po kthehesha nga Kamza rreth orës 13:00 të ditës së djeshme. Në Kodër Kamëz shoh tre çuna, që nuk i njihja, që po hiqnin flamujt e Partisë Socialiste. Jam ndalur e u kam thënë djemve që të mos i hiqnin flamujt sepse nuk ishte një gjë normale. Më pas kam ikur dhe kam vijuar punën time. Ky ka qenë i gjithë konflikti, për të cilin më ndalojnë katër orë më vonë dhe më mbajnë deri në mesnatë në birucat e Policisë së Tiranës, tha Suli.
Ndërkohë shoqërimi i tij konfirmohet dhe nga burime të policisë, sipas të cilave ndalimi i 40-vjeçarit është bërë pas sinjalizimeve për konflikt mes një grupi të rinjsh.
Në lidhje me këtë ngjarje ka reaguar edhe kandidati për deputet në Tiranë, Rakip Suli.
Për gazetën TemA, deputeti Suli thotë se nuk dëshiron të besojë se ndalimi i vëllait është një sulm i qëllimshëm që i bëhet familjes së tij, tani që ka nisur fushata për zgjedhjet e 23 qershorit.
Dua të besoj se Policia e Tiranës ka pasur informacione shumë të sigurta që ka vendosur shoqërimin dhe izolimin për disa orë, të vëllait tim. Unë nuk di, madje ju garantoj, që im vëlla të ketë qoftë edhe rastin më të vogël të shkeljes së ligjit. Por insistoj se dua të besoj se ky incident është i rastësishëm dhe se nuk do të pasohet me ngjarje të tjera, kur ne të përballemi, jo vetëm me betejën politike, por edhe me atë të uniformave blu. Ngaqë nuk besoj se ndalimi i vëllait tim është bërë qëllimisht, unë kam përqendruar punën time në shpalosjen e programit të Partisë Socialiste dhe në evidentimin e gjithë problematikës që ka zona ku unë jam kandidat për deputet. Ju garantoj se kjo është problematika e vërtetë e Tiranës dhe jo ndalimi i familjarëve të kandidatëve për deputet, edhe nëse bëhen të qëllimshme, thotë Rakip Suli./l.ç