Policia ndërtimore nisi dje shembjen e pallatit të paligjshëm të Dash Pezës, mikut për kokë të Edvinit
Pas denoncimeve me dëshmi dhe dokumente nga gazeta “55”
Policia ndërtimore ka marrë nismën për të rrëzuar ndërtesën e deputetit të PS-së Dashamir Peza. Ndërtesa prej 12 katësh e cila ndodhet prapa hotel “Tirana International” në kryeqytet ka filluar të shembet pas një urdhri të nxjerrë nga kryeinspektori i policisë ndërtimore Hekuran Hoxhaj i cili thekson se në përputhje me ligjin 2502 për urbanistikën kjo ndërtesë është e paligjshme.
Tashmë fadromat e policisë ndërtimore kanë filluar nga puna për prishjen e këtij objekti 12 katësh i cili sipas saj është i paligjshëm.
Gjithashtu në vendngjarje ndodhen edhe punonjësit e policisë bashkiake të cilët po vëzhgojnë prishjen e objektit. Ky pallat është i ndërtuar në një hapësirë publike, madje për të mos thënë në rrugën lidhëse të lagjes, duke zënë pjesën tërësore të saj. Më shumë se një herë, është denoncuar edhe publikisht, falja e një pjese të rrugës “Urani Pano”, diku prapa Qendrës “Veve” dhe Hotel “Tirana”, që Edi Rama ia ka bërë Dash Pezës, i cili prej vitit 2001 ka menduar dhe filluar ngritjen aty të një pallati 12 katësh, të papërfunduar ende sot në vitin 2009.
Dokumente e shumtë, që vetë bashkia e Tiranës ka arkivuar në dosjen e dhënies së lejes së ndërtimit, dëshmojnë dhe denoncojnë, jo vetëm zhdukjen e një pjese të rrugës në qendër të Tiranës, por edhe faljen që Edi Rama, i ka bërë Dash Pezës, të një “cope” toke, që bashkë edhe me “copën” tjetër, të kunatit të tij Ilir Mata, ka filluar dhe nuk ka përfunduar ende ngritjen e një pallati 12 katësh.
Shkeljet me këtë leje ndërtimi, mbi një truall publik, janë aq të shumta, sa edhe Fatos Nano, në kohën që si kryeministër, drejtonte edhe Këshillin e Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë, kishte urdhëruar pezullimin e ndërtimit të këtij pallati, deri sa “të gjendet rruga” “Urani Pano” që është zhdukur.
Jo vetëm kaq, por edhe Policia ndërtimore, që në kohën e Fatos Nanos kryeministër, por edhe më herët, ka urdhëruar dhe zbatuar pezullimin e punimeve të këtij pallati.
Dosjet e abuzimeve të Edi Ramës me trojet publike në Tiranë, janë të shpeshta. Gazeta “55” ka botuar disa prej tyre, ndërkohë që pjesë e denoncimeve ka qenë edhe skandali i abuzimit të kryebashkiakut kryesocialist të Tiranës, me një rrugë në Tiranë, që e fshiu nga harta e kryeqytetit dhe ia dha me qira, për 80 mijë lekë (të vjetra) në vit mikut të tij Dash Peza. Nga ana e tij, Dash Peza, ngriti një pallat 12-katësh.
Dokumentet zyrtare tregojnë se këtë punë Edi Rama e ka nisur , të paktën që në vitin 2001, kur ju falte për ndërtim, “miqve” të tij, tashmë edhe deputetë, edhe rrugë të kryeqytetit. Paradoksi i këtij pallati që ka bllokuar të gjithë hapësirën publike në mes shumë pallateve që janë ndërtuar në atë zonë është se ai është ngritur mbi rrugë, duke zaptuar një hapësirë publike të qytetarëve e për më tepër ai është kthyer në një pengesë reale për rrugëkalimin e banorëve që janë shtuar së tepërmi në këtë zonë të Tiranës.
Ndërsa Edi Rama, e ka pasion këtë falje “tokash” në Tiranë, prej disa vitesh, një sërë objektesh, kryesisht pallate të ngritura nëpër “tokat e Edi Ramës”, janë bllokuar, ndërsa edhe dosjet e abuzimit të tyre, vazhdojnë gjumin në organin e akuzës.
Abuzimi me truallin publik në qendër të kryeqytetit, kur rruga u dha si shesh për ndërtimin e një pallati nga Dash Peza, mbart shumë fakte denoncuese për Edi Ramën. Zanafilla e këtyre abuzimeve, vërehet që me procedurat për dhënien e lejes për shesh ndërtimi, kur ky shesh ende nuk ishte “prone” e “investitorëve” dhe se bashkia, përkundër kompetencave të saj, pretendonte t’ia shiste Dash Pezës. Ai shesh, edhe sot, nuk ju është shitur “investitorëve”, por është gjetur një rrugë “e re”, ju është dhënë me qira..., sigurisht për të ndërtuar një pallat.
Këto shkelje dhe të tjera që kanë pasuar këtë leje ndërtimi, janë pasuar me pezullim punimesh dhe bllokim të tyre, edhe nga qeveritë socialiste të para vitit 2005. Ende sot, punimet në këtë pallat janë të bllokuara, në pritje të një vendimi të Prokurorisë, për “fatin” e mëtejshëm të tij.
Prej muajit shtator 2001 kur mori udhë ky abuzim, pallati i Dash Pezës ende vazhdon të jetë i pa përfunduar, për më tepër edhe i bllokuar. Aktet e pezullimit dhe bllokimit të punimeve për ndërtimin e këtij pallati, kanë filluar që nga koha e qeverisjeve socialiste.
Saga e pezullimeve dhe bllokimeve të punimeve për ndërtimin e këtij pallati në rrugën “Urani Pano”, daton që në 4 dhjetor 2003. Në këtë datë, Drejtoria e Policisë së Ndërtimit, “Tirana-Qytet”, me vendimin Nr. 83, vendos pezullimin e punimeve, pasi ishin konstatuar kundërvajtje të parashikuara nga Neni 4 i Ligjit Nr. 8402, “Për kontrollin dhe disiplinimin e punimeve”.
Ky vendim i Drejtoria e Policisë së Ndërtimit, “Tirana-Qytet”, u përforcua edhe nga një tjetër vendim i Këshillit të Rregullimit të Territorit (KRRTRSH) të Republikës së Shqipërisë, i drejtuar nga ish-Kryeministri Fatos Nano, i cili në 26 qershor të vitit 2004, vendoste rishikimin e vendimit të KRRT-së bashkisë së Tiranës, për lejen e ndërtimit, ku i lihet porosi kësaj bashkie të parashikonte lënien e kalimit të rrugës, për këmbësorët publik sipas drejtimit veri-jug.
Ajo që në vendimin për lejen e sheshit të ndërtimit të datës 22 shtator 2001, u la që Dash Peza ta blinte rrugën, pësoi një fat tjetër. Dash Peza, nuk e bleu rrugën, por e mori me qira dhe nisi ndërtimin e një pallati. Shifrat e qerasë, sa qesharake që janë, aq edhe më shumë hedhin dritë mbi denoncimin e abuzimeve me trojet publike që bënë Edi Rama.
Pikërisht, në kontratën e qirasë mes bashkisë së Tiranës dhe “investitorit”, është shënuar se, firma e Dash Pezës paguan qira për 51 metra katrorë. Këtë sipërfaqe, Dash Peza, e merr me qira deri në kohën “kur fillon procedura e privatizimit të trojeve shtetërore”, dhe vlera që Dash Peza duhet të paguajë deri në atë moment është vetëm 8 mijë lekë (të reja) në vit (51 m2 X 1600 lekë m2 = 8.160 lekë në vit).
Kontrata i vë kush qiramarrësit dhe e detyron atë që ta paguajë qiranë një herë në 6 muaj.
Avokatia e Eduart Shalësit lidhur me paligjshmërinë e ndërtimit të pallatit, reagon zyra e Hipotekës
“Pallati në rrugën ‘Urani Pano’, nuk është i regjistruar në ZRPP, dosja e ndërtimi të jashtëligjshëm ende në Prokurorinë e Tiranës”
Zyra Qendrore e Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme (ZQRPP), ka hedhur dje poshtë si të pavërteta dhe abuzive, deklarimet e deputetit të Partisë Socialiste Eduart Shalsi, lidhur me pretendimet e tij për regjistrimin në këtë zyrë hipotekore, të pallatit të ndërtuar nga Ilir Matës në rrugën “Urani Pano”, në qendër të Tiranës.
ZQRPP sqaron, se në vitin 2005, ky pallat është regjistruar provizorisht, si karabina në këtë zyrë, nga ish-Regjistruesi i Tiranës Gazmend Zeneli.
Në vitin 2007, është konstatuar paligjshmëria e këtij regjistrimi, sepse ky objekt ishte ndërtuar mbi një truall e pronë publike.
Pas këtij konstatimi, u verifikua se regjistrimi i saj ishte kryer në mënyrë të jashtëligjshme dhe dosja e abuzimit iu dërgua Prokurorisë së Rrethit të Tiranës, për hetime të mëtejshme. Po kështu, u fshi regjistrimi i këtij objekti nga regjistrat e Zyrës së Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme të Tiranës.