Tellallët e PS-së hedhin ende baltë kundër Autostradës së kombit
Reagon Ministria e Transporteve
Ministria e Transporteve reagoi ashpër dje ndaj akuzave të pabaza ndaj autostradës së kombit Durrës-Kukës Morinë. Partia Socialiste vijoi dhe dje sulmet e paprecedenta ndaj qeverisë dhe institucioneve përgjegjëse, lidhur me ndërtimin e kësaj vepre madhore. Zëdhënësja e Ministrisë së Punëve Publike, duke dhënë sqarimet përkatëse për të gjitha akuzat e ngritura nga deputeti i Partisë Socialiste, Erjon Braçe, u shpreh se PS po i servir publikut një seri tjetër të telenovelës së abuzimit.
“Në vijim të spekulimeve të vazhdueshme dhe totalisht të pabaza, të opozitës kundrejt kryeveprës shqiptare , Autostradës Rrëshen – Kalimash, sot tellallët e mashtrimit të Partisë Socialiste iu rikthyen veprës me tëre pasionin e ngërthyer mes injorancës dhe dashakeqësisë primitive, duke i servirur publikut një seri tjetër të telenovelës së abuzimit.
Informojmë publikun duke përshirë Partinë Socialiste dhe burimet e tyre në vepër ,se spekulimet e fundit sipas të cilave: by-pass i Gëziqit improvizuar për lidhjen mes Urës B101 dhe B106 është ndërtuar për qëllime elektorale dhe i ka kushtuar buxhetit 5mln Euro, ura B5 dhe B6 janë prishur dhe rindërtuar duke shkaktuar dëm ekonomik, tuneli ka kushtuar 560 milionë Euro dhe shkatërrimi i tij, mbyll përfundimisht rrugën me një dëm 1mld Euro, janë tërësisht të pavërteta dhe mjerisht groteske. Sqarojmë se By-pass i Kolonianit apo i Gëziqit nuk është ndërtuar kurrë nga Kontraktori, dhe as nuk është paguar asnjë Euro për përmirësimin e parametrave gjeometrike të tij. Kjo rrugë ekzistuese rurale është shfrytëzuar nga Kompania për qëllime të ndërtimit të rrugës, dhe si për të gjithë rrugët e tjera të aksesit në vepër nuk është paguar asnjë punim në përputhje me kontratën. Pavarësisht nga absurditeti i logjikës së zotit Braçe, për hir të sqarimit të publikut, informojmë se njëra nga mbështetjet e Urës 5 është afektuar para ndërtimit të saj nga një rrëshqitje dheu, masat për stabilizimin e së cilës kanë detyruar spostimin e mbështetjes së parë të urës. Investitori e ka faturuar koston suplementare drejt kompanive të sigurimit të punimeve”, u shpreh zëdhënësja Arminda Qylafku.
Ndërkaq, në vijim të informimit të vazhdueshëm të publikut për mbarëvajtjen e punimeve në Tunelin e Thirrës, zëdhënësja Qylakfu tha se, “në kundërshtim me çdo spekulim të opozitës, procesi i stabilizimit të avarisë nëpërmjet masave emergjente të marra, ka përfunduar me sukses”.
“Aktualisht, nën mbikëqyrjen dhe instruksionet e vazhdueshme të ekspertëve më të mirë ndërkombëtarë të angazhuar në vepër, po punohet intensivisht për të zbatuar projektin e rishikuar të tunelit në zonën qendrore të tij, subjekt i konvergjencave të larta radiale të shkaktuara nga paqëndrueshmëria e masivit tektonikisht të destabilizuar. Puna ka rifilluar plotësisht në galerinë jugore në të dy anët e shembjes dhe në të gjithë gjatësinë e zonës së afektuar nga deformimet, në një regjim 24 orësh”, deklaroi më tej, zëdhënësja e Ministrisë së Punëve Publike, Transporteve dhe Telekomunikacionit, Arminda Qylafku.