E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Klanet e organizuara të mafies do të marrin goditjen më të rëndë”

Kryeministri Berisha paralajmëron luftë pa kompromis ndaj mafies në vend
      
Kreu i qeverisë shqiptare Sali Berisha, duke përshëndetur punimet e konferencës mbi “Anëtarësimin e shpejtë në BE të Evropës Juglindore”, deklaroi se në katër vite qeveria arriti të shembë murin e krimit të organizuar, por lufta ndaj mafies mbetet prioriteti kryesor i mandatit që sapo ka nisur. Berisha tha se beteja ndaj mafies nuk do të njohë kompromis, duke shtuar se kjo është një detyrim madhor ndaj qytetarëve shqiptarë, ndaj partnerëve dhe ndaj projektit të madh të kombit tonë për integrim në Bashkimin Evropian. “Ne jemi të vendosur të intensifikojmë këtë betejë dhe jemi të sigurt se do ta fitojmë atë”, tha Berisha.
Kryeministri shtoi gjithashtu se integrimi evropian është një levë tjetër, një rrugë tjetër dhe një mundësi tjetër e jashtëzakonshme për konsolidimin e sigurisë, prosperitetit dhe demokracisë në vendet tona. “Për qeverinë time çështja e sigurisë është para së gjithash një çështje kombëtare, në sensin që jeta e qytetarëve shqiptarë përbën përparësinë më të madhe për këtë qeveri. Ndaj dhe ne, ndonëse erdhëm në pushtet në një terren shumë të vështirë, në një vend në të cilin bandat dhe organizatat kriminale bënin ligjin në qytete, rrethe dhe institucione, i shpallëm atyre luftë me zero tolerancë. Lufta jonë me zero tolerancë kundër bandave, disa prej të cilave më të rrezikshmen në Ballkan dhe më gjerë, dëshmoi se në prani të vullnetit të hekurt politik ato, në asnjë rast dhe në asnjë rrethanë, nuk mund t’i rezistojnë ligjit. Në një hark të shkurtër kohor, prej 18 muajsh, u çmontuan më shumë se 206 banda e organizata kriminale dhe mbi 1000 anëtarë dhe bosë të tyre u identifikuan, u gjetën, u arrestuan dhe u vendosën para ligjit. Organet e zbatimit të ligjit duke koordinuar mirë veprimtarinë e tyre, por edhe me një bashkëpunim të shkëlqyer me agjencitë e zbatimit të ligjit të vendeve partnere, të vendeve mike dhe vendeve aleate, i’a dolën që Shqipëria të ketë në dy vitet e fundit treguesit e kriminalitetit nën mesataren e vendeve anëtare të Bashkimit Evropian, si dhe të mund të përcaktojnë si objektiv nivelin e ulët të kriminalitetit të vendeve anëtare të Bashkimit Evropian për katër vitet që vijnë”, u shpreh kryeministri.
Sipas tij, Shqipëria, në këto përpjekje kundër krimit të organizuar, është i vetmi vend që adoptoi një ligj të veçantë: Moratoriumin për skafet, këto mjete të krimit të organizuar dhe të trafiqeve kriminale të të gjitha llojeve. “Ky Moratorium vazhdon dhe do të vazhdojë. 400 kilometra brigje detare të Shqipërisë nuk do të mund të përdoren për të eksportuar kriminalitet dhe trafiqe kriminale drejt Evropës Perëndimore dhe drejt Bashkimit Evropian. Nga ana tjetër kam kënaqësinë t’ju them se me qindra jetë janë shpëtuar nga ky ligj, sepse skafistët, kjo specie kriminelësh, sa herë viheshin në rrezik para policisë shqiptare apo asaj italiane, hidhnin qeniet e pafajshme njerëzore në det dhe largoheshin. Drama të tilla nuk ka më në ujërat tona territoriale, tha më tej Berisha, duke theksuar se, lufta kundër krimit të organizuar vazhdon të përbëjë një përparësi madhore për qeverinë time”. “Ne e shembëm murin e krimit të organizuar, por sërish kemi probleme serioze me mafien. Unë jam këtu për t’u zotuar se atë që pësuan bandat do të pësojnë dhe klanet e mafies. Këto ditë ne kemi miratuar një ligj të ri, i cili synon goditjen ligjore të krimit ekonomik të tyre. Në rast se nuk u shkatërrojmë ekonominë, lufta kundër mafies është vetëm iluzion. Lufta kundër mafies është një detyrim madhor ndaj qytetarëve tanë, ndaj partnerëve tanë, ndaj projektit të madh të kombit tonë për integrim në Bashkimin Evropian. Ne jemi të vendosur të intensifikojmë këtë betejë dhe jemi të sigurt se do ta fitojmë atë. Në këtë kontekst bashkëpunimi ndërkombëtar, bashkëpunimi me vendet mike si Italia, Greqia dhe vendet përreth është i domosdoshëm, por i tillë është edhe njësimi i ligjeve me këto vende. Ne duhet të kemi ligje të njëjta në mënyrë që mafiozët e goditur në Itali të mos mund të bëjnë transferta të pasurive të tyre në Shqipëri dhe as në vende të tjera. Mafies duhet t’i digjet toka nën këmbë”, tha më tej kryeministri i vendit, Sali Berisha.
Kryeministri i konsideroi integrimin e vendit në BE, një mundësi të artë për konsolidimin e sigurisë, prosperitetit dhe demokracisë.
“Unë shfrytëzoj rastin t’ju falënderoj ju dhe Parlamentin Evropian për avokatinë dhe  mbështetjen që i bëtë rajonit edhe me rezolutën e fundit, si dhe ju siguroj se për qeverinë time procesi i integrimit evropian është dhe do të mbetet një proces i bazuar në  performancën e kësaj qeverie dhe të këtij vendi. Kjo është rruga dhe ky është interesi më i madh i qytetareve shqiptarë. Sikundër, shpreh kënaqësinë time të madhe se Traktati i Lisbonës e ka thjeshtuar më shumë këtë proces, në sensin që tani procesi është i bazuar në performancën e vendeve që aspirojnë për t’u anëtarësuar dhe nuk diktohet shumë nga faktorë jashtë tyre, të cilët kanë pasur një influence të pamohueshme dhe normale”, tha kryeministri.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›