E Diel, 1 Nëntor 2026

“Opozita të rikthehet në parlament për të marrë rolin që i takon në axhendën e liberalizimit të vizave”

Deklaron kryeministri Berisha në mbledhjen e grupit parlamentar të PD
 
Kryeministri Sali Berisha deklaroi dje në mbledhjen e grupit parlamentar të Partisë Demokratike, se vendi i opozitës është në parlament, për të marrë axhendën që i takon në procesin e liberalizimit të vizave dhe integrimit evropian të vendit. “Qeveria, parlamenti, institucionet kanë një dhe vetëm një anxhendë, atë të heqjes së vizave dhe të integrimit në Bashkimin Evropian. Në axhendën e parlamentit dhe të qeverisë kanë pasur dhe do të kenë përparësi të gjitha reformat që lidhen me integrimin dhe lëvizjen e lirë të qytetarëve. Jam sot këtu për të ftuar opozitën të marrë rolin e saj. Oferta e bërë prej nesh është jashtëzakonisht serioze, e ndershme, dinjitoze. Janë ligjet, reformat në parlament dhe jo thasët e plehut për qytetarët shqiptarë, ato që përfaqësojnë, grishin dhe ftojnë opozitën shqiptare. Thasët e plehut përfaqësojnë mafien, mafien dhe vetëm mafien. Besoj se këtë e ka të qartë çdo qytetar i këtij vendi. Ndaj, duke dashur vendosmërisht, të ndajmë axhendën e integrimit dhe të lëvizjes së lirë, bashkërisht me opozitën, edhe njëherë e ftoj atë që të marrë funksionet e veta”, u shpreh kryeministri Sali Berisha.
Kreu i qeverisë theksoi më tej se përfaqësues të të gjitha agjencive dhe dikastereve të vendit dhe ndërkombëtare të mbledhur vetëm tre ditë më parë në Durrës, nisën punën, përgatitjet, instruktazhin, me ndihmën e qeverisë mike kroate dhe Kryenegociatorin e tyre në procesin e Statusit.
Berisha tha se në këtë takim, përfaqësuesit shqiptarë morën udhëzime dhe zhvilluan një trajnim shumë të frytshëm lidhur me pyetësorin, për të cilin pritet që Komisioni Evropian ta përgatisë gjatë javëve që vijnë. “Kjo përgatitje do të vazhdojë. Siç kemi deklaruar, ne do të angazhojmë, do të mobilizojmë të gjitha burimet njerëzore, financiare, si qeveri, si parlament,të gjitha agjencitë, në mënyrë që të jemi në lartësitë e këtij procesi. Përfaqësuesi i Komisionit Evropian dhe Drejtori për Rajonin, në mbledhjen e Komitetit Ndërministror të Integrimit, ku ai asistoi, dha udhëzime shumë të rëndësishme, këshilla dhe sugjerime shumë të dobishme, të cilat do të merren parasysh gjatë të gjithë procesit. Ky do të jetë një proces që do të marrë një kohë të caktuar, jo aq të shkurtër sa ne do të donim, por rëndësi ka që ai të jetë i vërtetë, të jetë solid, të jetë bindës dhe të jepen përgjigjet më të mira”, tha kryeministri Berisha.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›