E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia ndjek penalisht shkaktarin e aksidentit të eskortës së Berishës

16/11/2011  U përplas me shtyllën, u zuri rrugën makinave të policisë. U plagos një efektiv

TIRANË- Shkaktari i aksidentit të eskortës së Berishës po ndiqet penalisht në gjendje të lirë nga Policia Rrugore, pasi gjithçka ndodhi pas pengimit të rrugës nga ana e tij. Burimet zyrtare të policisë thanë se nga Njësia e Policisë Rrugore Tiranë filloi procedimi penal në gjendje të lirë, për shtetasin Enkel Hoxha, 26 vjeç, lindur në Gramsh dhe banues në Tiranë. Procedimi ndaj tij filloi sepse pardje rreth orës 15.10, në rrugën e re të Rinasit, pranë degëzimit të Laknasit, duke drejtuar automjetin veturë tip “Ford”, me targa TR 1035 U, me drejtim lëvizjeje Rinas-Qafë Kashar, si pasojë e humbjes së kontrollit të drejtimit të mjetit është përplasur në një shtyllë metalike në anën të rrugës duke i ndërprerë rrugën në mënyrë të menjëhershme automjetit veture tip “Skoda” Policia Rrugore, me targa TR 7410 R, mjet i cili ishte pjesë e eskortës së sigurisë së Kryeministrit shqiptar Sali Berisha dhe po qarkullonte me drejtim lëvizjeje Qafë Kashar-Rinas. Për këtë arsye mjeti i Policisë Rrugore ka devijuar drejtimin e lëvizjes dhe për pasojë ka humbur kontrollin, por pa pasur kontakt me asnjë mjet tjetër, duke dalë jashtë rruge dhe për këtë arsye është aksidentuar drejtuesi i saj, me detyrë ndihmës specialit i Policisë Rrugore Gjin Bushgjokaj, 43 vjeç, banues në Tiranë, i cili është dërguar në Spitalin Ushtarak Tiranë jashtë rrezikut për jetën. Neni 290/1 Kodit Penal.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›