E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia në alarm, babai ‘merr peng’ djalin e tij

Ngjarja ka për motiv një kontradiktë mes dy bashkëshortëve Fejzullah dhe Zyra Kamberi, 50 dhe 45 vjeçe. Çifti është ndarë, ndonëse për këtë nuk ka ndonjë vendim gjykate. Sipas policisë, fëmijët janë “presioni” që ata i bëjnë njëri-tjetrit 

TIRANE- Policia është alarmuar pas denoncimit të rrëmbimit të një 13-vjeçari në Babrru, por vetëm 1 orë më vonë është mësuar se i mituri ishte marrë nga i ati, i cili donte ta çonte në shtëpinë e vet në fshatin Zgur të Komunës Zall-Bastar, në Tiranë. Ngjarja ka për motiv një kontradiktë mes dy bashkëshortëve Fejzullah dhe Zyra Kamberi, 50 dhe 45 vjeçe. Çifti është ndarë, ndonëse për këtë nuk ka ndonjë vendim gjykate. Sipas policisë, fëmijët janë “presioni” që ata i bëjnë njëri-tjetrit për vendin se ku mund të jetojnë sërish të bashkuar në një familje. Zyraja jeton me djalin e madh të martuar dhe Ardianin 13 vjeç, në Kodrën e Kuqe. Kurse Fjezullahu jeton me djalin tjetër dhe vajzën në fshatin Zgur. Kështu ndodhi edhe paraditen e djeshme, kur Fejzullahu shikon të birin dhe e merr atë me një makinë ku ndodheshin edhe dy të afërm të tjerë të familjes. Ata janë nisur në drejtim të fshatit Zgur. Ngjarja është parë nga banorë të zonës, të cilët kanë sinjalizuar mamanë e Ardianit, Zyranë. Kjo e fundit ka lajmëruar menjëherë policinë, por në dëshminë e saj ka shtuar se autori mund të ishte pikërisht i shoqi. Policia ka kontaktuar vetë në telefon me Fejzullahun, i cili ka konfirmuar se djalin e kishte ai, por nuk e kishte rrëmbyer.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›