E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Në 2012-ën, ne në Bashkimin Europian

Këto deklarata i bëri dje Presidenti Bamir Topi gjatë vizitës së tij zyrtare në Xhenova. “Brenda 2012-ës Shqipëria do të hyjë në Bashkimin Europian. Reformat e realizuara deri më tani në vend e japin këtë siguri” 

TIRANE-Brenda 2012-ës Shqipëria do të jetë pjesë e Bashkimit Europian, ndërsa në prill ajo do të anëtarësohet me të drejta të plota në NATO. Këto deklarata i bëri dje Presidenti Bamir Topi gjatë vizitës së tij zyrtare në Xhenova, siç dhe njoftoi dje agjencia shtetërore e lajmeve ANSA. “Brenda 2012-ës Shqipëria do të hyjë në Bashkimin Europian. Reformat e realizuara deri më tani në vend e japin këtë siguri”, - u shpreh dje Topi. Ai njoftoi se pas një muaji Shqipëria do të jetë edhe anëtare e NATO-s, gjë që do të thotë se “vendi ofron të gjitha mundësitë ekonomike dhe të lirisë, jo vetëm për t’i konsumuar ato, por edhe për t’i dhënë stabilitet e të drejta të gjithë rajonit të Ballkanit”. Topi tha ndër të tjera se Shqipëria është në fazën e tranzicionit, se në përgjithësi ekziston një opinion i mirë për vendin dhe u shpreh i sigurt se edhe shqiptarët e duan hyrjen në BE. “Më duhet të falenderoj popullin italian për pritjen e tij. Shqiptarët tashmë janë integruar, punojnë, studiojnë në nivele më të larta në të gjitha kontinentet. Të rinjtë e shumtë që studiojnë në universitetet europiane premtojnë një të ardhme të sigurt”, - tha ai në fjalën përmbyllëse të takimeve të tij në Xhenova.
Në vizitën e tij zyrtare në Xhenova kreu i shtetit u takua me personalitete të rëndësishme të provincës së Xhenovas, si Presidentin e saj, Alesandro Repeto, Presidentin e Komitetit Rajonal, Klaudio Burlando, Presidentin e Këshillit Rajonal të Ligurias, Xhakomo Ronciti, me Presidentin e Këshillit Bashkiak, Xhorxho Guerelo dhe Kryetaren e Bashkisë së Xhenovas, Marta Vinçenci. “Në këto takime, - njoftoi dje zyra e shtypit e presidencës, - është ritheksuar fryma e miqësisë shumë të mirë, që është zhvilluar tradicionalisht mes dy vendeve tona dhe është shprehur interesimi i përbashkët i palëve për intensifikimin e bashkëpunimit në të gjitha fushat me qëllim rritjen dhe nxitjen e mëtejshme të tij.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›