Zbulohet çifti student grabitës
19/10/2004 Policia kriminale e komisariatit nr 2 arrin të zbulojë dhe të vërë në pranga autorët e grabitjes me dhunë të një tregëtari në muajin mars të këtij viti. Ngjarja e ndodhur në rrugën "Komuna e Parisit", mban si protagonistë një çift të rinjsh nga kryeqyteti. Mariglen Pofja dhe e dashura e tij 18-vjeçare D.H. Burime zyrtare nga komisariati nr 2 bëjnë të ditur se grabitja me dhunë u arrit të zbulohej falë informacioneve të siguruara në rrugë operative nga agjentët e antikrimit. Blutë thonë se studenti i inxhinierisë së ndërtimit, i ndihmuar nga shoqja i morën me forcë tregëtarit një sasi të konsiderueshme parash, si dhe makinën me të cilën udhëtonte. Por, mjetin e vjedhur e braktisën më pas, në Paskuqan, duke u trembur nga zbulimi. Në autoveturë u gjetën gjurmët e gishtërinjve të tyre, të cilat u mbajtën për verifikime të ndryshme. Studenti 21-vjeçarja dhe bukuroshja adoleshente nuk e patën të vështirë ti shpëtonin prangosjes, pasi ishin të paskeduar nga policia. Arrestimi i së djeshmes, i shokoi dy të rinjtë, të cilët e kishin fjetur mendjen se nuk do të zbuloheshin asnjëherë. Ata përfunduan në qelitë e komisariatit nr 2, në pritje të zhvillimit të seancës së parë gjyqësore në ngarkim të tyre. materialet iu kaluan prokurorisë për të vijuar më tej hetimet mbi grabitjen me dhunë.