Policia serbe arreston katër shqiptarë
19/10/2004 Policia serbe ka arrestuar në qytetin Çaçak, të Serbisë qendrore, një grup qytetarësh të Shqipërisë, të cilët kanë kaluar ilegalisht kufirin. Në një komunikatë thuhet se policia para katër ditësh këtë grup e kishte zbuluar gjatë kontrollit të pasagjerëve në linjën e autobusit Novi Pazar – Beograd me agjencinë “Benko-Tours”. Gëzim Çokaj, Mentor Duraku, Gëzim Kameraj dhe Frederik Stafa me procedurë urgjente i janë dorëzuar gjykatësit për kundërvajtje. Thuhet se më herët afër Çaçakut policia kishte arrestuar shtatë qytetarë të Shqipërisë, të cilët ilegalisht kishin kaluar kufirin dhe ishin zbuluar në një autobus të Novi Pazarit. Në të dyja rastet nuk saktësohet se në cilën pikë të kufirit ata kishin kaluar ilegalisht kufirin.