E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia për të tretën herë, letër Ramës: “Liro bulevardin”

Autori i Lajmit: Redaksia

Kreu i Policisë së Tiranës, Tonin Vocaj i ka dërguar për të tretën ditë radhazi letër zyrtare kreut të Bashkisë së Tiranës, njëkohësisht kreut të Partisë Socialiste, Edi Rama të lirojë bulevardin, pasi çadrat e ngritura para Kryeministrisë kanë bllokuar qarkullimin e automjeteve.
Pas dy letrave zyrtare të dërguara ditët e fundit nga Drejtori i Policisë Tonin Vocaj, i cili u ka bërë me dije drejtuesve të protestës se po kryejnë vepër penale me bllokimin e trafikut, Policia e Tiranës i ka kërkuar dje kryetarit të Bashkisë së Tiranës Edi Rama të zhvendosë grevistët në një ambient tjetër për të liruar rrugën e kalimit të automjeteve në bulevard. "Vazhdojmë të shprehim shqetësimin tonë në lidhje me situatën e krijuar dhe rikërkojmë edhe një herë ndërhyrjen tuaj, me autoritetin e Kryetarit të Bashkisë, për zhbllokimin e bulevardit dhe krijimin e normalitetit në qarkullimin e automjeteve" është shprehur policia në shkresën drejtuar kreut të Bashkisë së Tiranës.
Shkresa zyrtare
“Nga një vëzhgim i trafikut, i bërë në datën 03.05.2010 nga ora 7:30 deri në orën 10:00, me gjithë punën e bërë për menaxhimin e trafikut nga shërbimet e policisë rrugore, konstatohet se, si rezultat i ndryshimit të regjimit të lëvizjes së mjeteve në qytetin e Tiranës dhe bllokimit të bulevardit “Dëshmorët e Kombit”, u përkeqësua ndjeshëm situate e trafikut në 13 segmente rrugore” citohet në letër. Në letër theksohet, se policia vazhdon të kërkojë ndërhyrjen e kreut të Bashkisë, për të zhbllokuar situatën e rënduar.
Reagimi
“Shqetësimet tuaja për mungesë eficience nga Policia rrugore apo për keqdashje në organizimin e shërbimit janë të pavërteta dhe si të tilla të papranueshme për ne”, citon në shkresën zyrtare, drejtuar kreut të PS-së, Policia e Tiranës. Më tej ftohet Partia Socialiste të kryejë sondazhe të përbashkëta me policinë për të evidentuar problemet e mëdha që shkaktohen në trafik si rezultat e devijimeve të shumta dhe si pasojë e shmangies së qarkullimit të automjeteve në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Po në këtë shkresë, Policia e Tiranës shfaq edhe një tjetër pakënaqësi, siç është ndërhyrja e Policisë Bashkiake në rregullimin e çështjeve të trafikut, ku sipas Tonin Vocajt, kjo e fundit i ka kaluar të gjitha kompetencat që parashikon ligji.

Tonin Vocaj i tregon
ligjin, Besnik Bares

Kreu i Policisë së Tiranës Tonin Vocaj ka nisur dje një shkresë zyrtare dhe për kreun e Partisë Socialiste të Tiranës, besnik Bare, duke i treguar këtij të fundit se bllokimi i trafikut përbën vepër penale. Në letrën me numër protokolli 2364/17, drejtuar sot më 3 maj 2010, kryetarit të Partisë Socialiste dega Tiranë, Besnik Baraj, thuhet se në vijim të komunikimeve të mëparshme dhe në përgjigje të shkresës së datës 3 maj 2010, ju kujtojmë se ligji për tubimet nuk lejon zhvillimin e tubimeve disa ditore. “Ju kemi sqaruar se për çdo ditë tubimi, ju mund të dërgoni në Drejtorinë e Policisë një njoftim më vete, gjë e cila nuk ka ndodhur as pas komunikimeve të vazhdueshme, duke shkelur parashikimet e neneve 5 dhe 7 të ligjit për tubimet”, citohet në shkresën zyrtare. Ai shtoi se, dëshirojmë tju sqarojmë se me gjithë përpjekjet tona, bllokimi i bulevardit “Dëshmorët e Kombit” ka cenuar rëndë situatën e trafikut rrugor në qytetin e Tiranës dhe kjo u evidentua sot dje si pasojë e devijimit të trafikut, shumë kryqëzime e rrugë morën ngarkesë tej normales dhe vazhdimi i bllokimit do të përkeqësojë situatën edhe në orët e pasdites veçanërisht në oraret e pikut të trafikut duke cenuar rëndë jetën normale të qytetit. Më tej thuhet se, ju ripërsërisim se vënia e pengesave dhe ndalimi me ço mjet apo mënyrë i qarkullimit të mjeteve të transportit automobilistik përbën vepër penale të parashikuar nga neni 293 i Kodit Penal. Letra përfundon me një kërkesë për zhbllokimin e rrugës dhe krijimin e mundësive për normalizimin e trafikut rrugor në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”.

Ky lajm është publikuar: 04/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›