E Diel, 1 Nëntor 2026

Gjyqtarët ushtarakë, ndryshon metoda e përzgjedhjes

Autori i Lajmit: Redaksia
Gjyqtarët ushtarakë për herë të parë do të përballen me procedurën e konkurrimit nëse janë të interesuar të fitojnë një nga vendet e shpallura vakant nga Këshilli i Lartë i Drejtësisë. Kështu, KLD-ja ka përcaktuar procedurën e ndryshuar që do të ndiqet për emërimet e gjyqtarëve në vendet bosh, të cilat janë krijuar në gjykatat që janë cilësuar si Gjykata Karriere. Sipas një njoftimi zyrtar të KLD-së thuhet se Këshilli i Lartë i Drejtësisë, pasi diskutoi dhe paraqiti mendimet mbi kriteret që duhet të ndiqen nga KLD-ja në shqyrtimin e kërkesave të paraqitura për emërime dhe transferime në vendet vakante të shpallura publikisht nga Këshilli pranë gjykatave të apelit Durrës, Tiranë dhe Vlorë, në përfundim përcaktoi kriteret dhe procedurën e votimit, si më poshtë vijon.
Procedura
Për plotësimin e vendeve vakante të sipërcituara nuk do të realizohet vlerësimi i aftësive të tyre profesionale me procedurë të përshpejtuar. Për sa u përket kandidatëve për në gjykatat e apelit që kanë ushtruar detyrën e gjyqtarit pranë Gjykatës së Lartë apo funksione të tjera shtetërore, kërkesat e tyre do të shqyrtohen në mbledhjen plenare të Këshillit, duke iu nënshtruar konkurrimit njëherazi me kandidatët e tjerë. Në konkurrim për emërim apo transferim në këto gjykata të apelit do të përfshihen kandidatët, të cilët ushtrojnë detyrën e gjyqtarit në ato gjykata ku me ligje të posaçme u është caktuar një mandat, si dhe kryetarët e gjykatave që ushtrojnë këtë funksion prej me pak se katër vitesh. Ish-gjyqtarët e Gjykatës së Apelit Ushtarak që kanë paraqitur kërkesë për emërim në gjykatat e apelit të sipërcituara, do ti nënshtrohen konkurrimit njëherazi me kandidatët e tjerë.
Gjyqtarët e suprimuar
Ndërsa për gjyqtarët e tjerë të asaj gjykate, tashmë të suprimuar, Këshilli do të vendosë kryesisht emërimin në vendet vakante në një mbledhje të ardhshme. Të drejtën për të kandiduar në vendet vakante në gjykatat e apelit nuk e kanë shtetasit që aktualisht nuk kanë statusin e gjyqtarit. Për rrjedhojë, kjo kategori nuk do të përfshihet në konkurrim. Në listat e votimit do të pasqyrohen me një shenjë të posaçme kandidatët që pak kohë më parë kanë marrë transferim apo propozim për emërim nga Këshilli. Kërkesat për transferime dhe emërime në gjykatat e apelit do të trajtohen njëkohësisht. Procedura e votimit për transferime dhe emërime në këto gjykata të apelit do të jetë e njëjtë si në emërimet apo transferimet paraardhëse të realizuara nga Këshilli. KLD-ja ka vendosur të pushojë procedimin disiplinor ndaj gjyqtares së Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Sarandë, Nevrije Halo, pas tërheqjes nga ministri i Drejtësisë së kërkesës për procedim disiplinor ndaj kësaj gjyqtareje.

Ky lajm është publikuar: 04/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›