E Shtunë, 31 Tetor 2026

Meta në Konventën Rinore “Rama refuzon gjykatat, e ftojmë për dialog”

Autori i Lajmit: Redaksia

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim Ilir Meta deklaroi dje nga Konventa e rinisë se tanimë është i qartë vendimi për të udhëtuar pa viza në Bashkimin Evropian.
“Këto tetë muaj, një punë e jashtëzakonshme është bërë që shqiptarët të lëvizin njëherë e mirë pa viza në Bashkimin Evropian. Që ata jo vetëm të mos rropaten nëpër ambasadat e huaja sepse heqja e vizave është një çështje dinjiteti dhe lirie. Në këto tetë muaj janë bërë shumë hapa të rëndësishëm drejt integrimit të vendit”, u shpreh Meta.
Ai garantoi se brenda pak muajve, objektivi i shqiptarëve për të lëvizur pa viza në drejtim të vendeve të BE-së, do të bëhet realitet ashtu sikundër edhe hyrja e vendit në familjen europiane. “Të gjitha forcat politike në vend duhet të angazhohen në parlament dhe në mënyrë pozitive si kusht që çdo forcë të përmbyshë detyrat e veta ndaj vendit. Shpreh keqardhjen time më të thellë për grevën e urisë që po zhvillohet nga kolegët në bulevardin Dëshmorët e Kombit. Por, kjo nuk më ndalon dot mua që ti ftoj edhe njëherë që të jenë bashkëpunues e të afrohen në dialog me mazhorancën dhe qeverisë për të realizuar pretendimet e tyre. Mes tyre dhe qytetarëve është bërë një kontratë e votuar nga parlamenti që është Kushtetuta. Është e rëndësishme të respektohet Kushtetuta, pavarësia e gjykatave dhe komuniteti ndërkombëtar. Është e papranueshme që një politikan të thotë që lirinë tonë nuk e çojmë në Gjykatë Kushtetuese”, këmbënguli Meta.
Meta theksoi se nuk beson se situata në vend është e shkëlqyer por Shqipëria pavarësisht problemeve përbën një rast të shkëlqyer e që vlerësohet nga partnerët për ecurinë e reformave.
“Me kujdesin që tregohet për të ruajtur stabilitetin makroekonomik të vendit dhe marrëveshjet e nënshkruara apo në proces, do të garantohet një perspektivë për të gjithë shqiptarët. Nuk mund të kontribuohet në interes të qytetarëve duke u përpjekur për të nxirë në mënyrë të sforcuar situatën ekonomike apo duke goditur besueshmërinë e sistemit bankar në vend. Të gjithë të shohim përtej interesave politike të ditës dhe të shohim interesin kombëtar që është heqja e vizave dhe anëtarësimi në BE”, u shpreh Meta. Ai ftoi të rinjtë të jenë aktiv dhe të zgjerojnë rradhët e tyre në Lëvizjen Socialiste për Integrim.

Ky lajm është publikuar: 04/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›