E Shtunë, 31 Tetor 2026

PD-PS, debate edhe para eurodeputetëve

Autori i Lajmit: Redaksia

Takimi i parë BE-Shqipëri që po mbahet në Bruksel nisi me shqetësimin e eurodeputetëve për krizën politike në vend.“Lajmet që vijnë nga Tirana janë shqetësuese, situata është e komplikuar”, ka deklaruar një eurodeputet i majtë. Ndërsa drejtori për zgjerimin me Ballkanin në Komisionin Europian, Pjer Mirel përsëriti qëndrimin se kriza do të ndikojë në opinionin për cështjen e statusit kandidat. “Greva e urisë është dicka pozitive për të marrë statusin e kandidatit? Parlamenti shqiptar nuk po funksionon që prej 8 muajsh dhe ne do ta kemi parasysh këtë në opinionin tonë”, tha Mirel. Ndërkaq eurodeputetja Doris Pack ka këmbëngulur se Opozita e ka vendin në Kuvend dhe duhet ti japë fund bojkotit. Edhe eurodeputetë të tjerë të djathtë kanë kërkuar që socialistët të respektojnë injtitucionet dhe ta zgjidhin kërkesën për transparencë brenda kornzës ligjore të vendit.
Nga ana e tyre, deputetët socialistë shqiptare kanë sqaruar se greva e urisë ishte një domosdoshmëri. “Greva e urisë nuk ishte zgjedhje, por detyrim para kapricove të qeverisë”, ka deklaruar Valentina Leskaj.
I menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetit demokrat Jemin Gjana, i cili ka theksuar se nëse PS kërkon një zgjidhje, duhet të respektojë Kushtetutën. “Zgjidhja duhet të jetë në përputhje më kushtetutën”, ka theksuar Gjana.
Eurodeputeti socialdemokrat Victor Boshtinaru u shpreh në mbështetje të PS, ndërsa eurodeputetët e tjerë kërkuan që Brukseli të ndikojë në zgjidhjen e cështjes dhe uljen e palëve në tryezën e bisedimeve.
Ndërsa deputetja e PD, Mesila Doda ka shprehur gatishmërinë e mazhorancës për ti lejuar opozitës drejtimin e komisionit hetimor për zgjedhjet e 28 qershorit.
“Kemi ngritur komisionin hetimor, mund të vijnë që nesër ta marrin drejtimin e tij, por gjithmonë duke respektuar kushtetutën”, ka deklaruar Doda, fjalimi i të cilës është mbështetur nga deputeti Fatos Beja. “Vendi juaj është në Parlament, aty mund të diskutohet cdo gjë, brenda ligjit”, ka thënë Beja. Por deputeti socialist Sajmir Tahiri ka replikuar duke theksuar se kërkesa e PS për hapjen e kutive është tërësisht legjitime.
“Ne e kemi lexuar Kushtetutën dhe kemi kërkuar komision hetimor sipas ligjit. Është mungesa e vullnetit politik që nuk lejon hetimin e zgjedhjeve”, është shprehur ai.
Kriza politike dhe cështja e liberalizimit të vizave do të jenë në qendër të diskutimeve në takimin konstruktiv të Parlamentit Europian që sot ka në axhendën e tij Shqipërinë. Komiteti parlamentar i Stabilizim-Asocimit mblidhet në datat 3 dhe 4 maj në Bruksel.
Axhenda
Sipas draftit të programit të punimeve të mbledhjes së parë të Komitetit Parlamentar të Stabilizim-Asocimit, pika e parë e rendit të ditës ishte adaptimi i punimeve të mbledhjes. Në rend të dytë, përcaktimi i procedurave dhe rregullave të takimit, në rend të tretë, situata e mardhënieve BE-Shqipëri ku përfshihet dhe shkëmbimi i pikëpamjeve të përfaqësuesve të Komitetit, Komisionit Europian dhe Qeverisë shqiptare. Pika e katërt është situata politike në Shqipëri, e cila kalon përpara cështjes së liberalizimit të vizave që ndodhet në rend të pestë. Në rend të gjashtë janë zhvillimet ekonomike në Shqipëri ku përfshihen dhe reformat dhe politikat energjetike. Në rend të shtatë, cështja e zbatimit dhe funksionimi i shtetit të së drejtës, më pas do diskutohet mbi cështjen e mbrojtjes së të drejtave të njeriut , në vecanti liria e medias. Në rend të nëntë, përcaktimi i rekomandimeve për Shqipërinë e më pas do të diskutohen cështje të tjera. Ndërkaq konferenca për shtyp është caktuar të mbahet ditën e sotme. Komisioneri për Zgjerim Fule dhe Ministrja e Integrimit Majlinda Bregu do të moderojnë mbi cështjet e përcaktuara për Shqipërinë.

Delegacioni shqiptar

Në takim nga pala shqiptare janë të pranishëm, nga PD: Fatos Beja, Viktor Gumi, Albana Vokshi, Florian Mima, Jemin Gjana, Mesila Doda, Aldo Bumci. Arenca Trashani , kryetare e delegacionit për Shqipërinë në PE.
Ndërsa nga PS: Valentina Leskaj, Ermelinda Meksi, Arben Malaj, Ditmir Bushati, Taulant Balla, Sajmir Tahiri dhe Ilir Beqja.

Malaj
“Nuk do eksportojmë krizën në Bruksel”

PS nuk do të eksportojë krizën politike shqiptare në Bruksel, por thjeshtë do të paraqesë argumentat e saj për atë që ndodh. Kështu u shpreh Arben Malaj, përfaqësuesi i opozitës në delegacionin parlamentar prej 14 deputesh para fillimit të mbledhjes së komitetit për Asocim Stabilizimin në Bruksel.
“Ne nuk kemi ardhur këtu të eksportojmë një situatë të vështirë në vendin tonë në një debat midis dy delegacioneve parlamentare, por opozita do të mundohet të argumentojë domosdoshmërinë e gjetjes së një zgjidhjeje sa më të shpejtë për situatën politike në vend. Kolegët që do të diskutojnë për pjesën politike kanë të gjitha argumentat reale për ti ndarë këto me kolegët e tyre të PE. Sëbashku me zonjën Meksi do të fokusohemi tek sfidat që ka zhvillimi ekonomik në vend, pranimi i realitetit të vështirë ekonomik” tha Malaj. Pyetjes se çfarë presin të arrijnë nga ky takim si dhe nga kontaktet e tjera me ndërkombëtarët, Malaj iu përgjigj: “Ne mendojmë se si përfaqësues të opozitës, duke mos abuzuar me statusin tonë të fitojmë mbështetjen në argumentat pse është bërë sa më shumë e domosdoshme dhe imediate zgjidhja e krizës politike në vend”

Ky lajm është publikuar: 04/05/2010

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›