E Shtunë, 31 Tetor 2026

PDU, promemorie për zgjidhjen e çështjes çame

Në rast të mosrealizimit të kërkesave, Shpëtim Idrizi paralajmëron përshkallëzim të protestave


TIRANË - Në ditën botërore të luftës kundër genocidit, Partia Drejtësi dhe Unitet i ka dorëzuar dje delegacionit të Komisionit Evropian në Shqipëri, një promemorie ku kërkojnë zgjidhjen e çështjes çame.


Në promemorien e dorëzuar në Komisionin Evropian, kopje e së cilës i është drejtuar edhe drejtuesve të lartë të shtetit shqiptar, si edhe të gjitha ambasadave të BE-së në Shqipëri, kërkohet nga bashkësia ndërkombëtare dhe Shqipëria, "që t'i imponojë Greqisë:


a) Pranimin publik të fajit, prej Greqisë, shtetit shkaktar të këtij genocidi;


b) Dëmshpërblime për familjarët e viktimave të pafajshme, të këtij genocidi;


c) Mundësi për anëtarët e Komunitetit tonë për të vizituar tokat dhe varret e të parëve;


d) Ngritje e lapidareve apo monumenteve, që nderojnë të vdekurit dhe të vrarët e asaj periudhe dhe heqjen e memorialëve të atyre që shkaktuan masakrat mbi popullsinë shqiptare çame;


e) Restaurim të së drejtës së pronësisë; f) Amendim të ligjeve të vitit 1970-1980 në ato nene, që ndalojnë ish shtetasit grekë me kombësi shqiptare të rikthehen;


g) Realizimin e te drejtës së rikthimit në tokat e tyre të të gjithë atyre, që e duan një gjë të tillë, duke rifituar statusin e para Luftës së Dytë Botërore; h) Kompensim eventual të pronave të konfiskuara dhe pagim të gjithë detyrimeve ligjore nga shfrytëzimi i këtyre pronave, depozitave bankare, fabrikave, trojeve bujqësore apo për ndërtim".


Pas bërjes publike të promemories, Kryetari i PDU-së, Shpëtim Idrizi, ka deklaruar dje se marrëdhëniet e mira fqinjësore midis Shqipërisë dhe Greqisë kalojnë nga një zgjidhje e drejtë e problemit çam. "Nëse ne, nuk do të shohim asnjë përparim në këtë drejtim, do të përshkallëzojmë protestën tonë me të gjitha mjetet demokratike, politike, juridike, etj., deri në plotësimin e të gjithë të drejtave tona të ligjshme", - tha Idrizi.

 

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›