Policia prangos 9 persona per shitje heroine
Luan Kondi
TIRANË – Rrjeta policore ka çuar në pranga 9 shpërndarës droge, të cilët mendohen se ishin një grup i strukturuar kriminal. Antidroga e Tiranës ka arritur dje të godasë një rrjet të mirorganizuar të shitjes së heroinës, duke vënë në pranga 9 persona. Burime zyrtare nga Policia e Tiranës, konfirmojnë se strukturat e Hetimit të Krimit kanë finalizuar në orët e para të mëngjesit të djeshëm operacionin e koduar “Bardhë e Zi”, me arrestimin e këtyre shtetasve në banesat e tyre pranë shkollës “Bajram Curri”.
Operacioni
Personat e arrestuar janë Krenar Dajti, 30 vjeç, i proceduar më parë për “armëmbajtje pa leje”, Bledar Kovaçi, 27 vjeç, me pseudonimin “bjondi”, Zamir Gjuzi, 24 vjeç, i njohur me pseudonimin ”Zamir Qorri”, Agron Koci, 33 vjeç, me pseudonimin “Gjon Rrapi”, Elidon Xhiku, 22 vjeç, Geris Lala, 24 vjeç, Sokol Mhilli, 42 vjeç, Zizja Mehmeti, 25 vjeç dhe Alma Mehmeti, 20 vjeç. Të gjithë këta persona, banorë të një lagjeje bënin pjesë në një rrjet të fuqishëm, i cili organizonte dhe monitoronte tregun e shitjes së heroinës në kryeqytet. Aktiviteti kriminal i këtij grupi të strukturuar shtrihej, në zonën e Xhamllikut, rrugën “Bajram Curri”, në zonën e Alliasit, rrugën “Hoxha Tasim”, zonën e varrezave të Tufinës, Zonën e Varrit Bani, Zonën e Kinostudios në Tiranë.
Hetimi
Tre muaj hetime kanë qenë të nevojshme për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor të veprimtarisë së këtij rrjeti, i cili kishte si kryesues dhe furnizues Krenar Dajtin. Ndërkohë gjatë arrestimit, atyre iu sekuestruan në cilësinë e provave materiale një automjet, i cili shërbente për shpërndarjen e lëndës narkotike heroinë, rreth 30 gramë lëndë e dyshuar heroinë, shuma e parave prej 70 000 lekësh të përfituara nga kjo veprimtari, si dhe 6 aparate celulari. Aktualisht strukturat e antidrogës së Tiranës janë duke bashkëpunuar ngushtë me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për sqarimin e mëtejshëm të pozicionit të të arrestuarve në rrjet, implikimin e personave të tjerë dhe verifikimin e aseteve të përfituara nga kjo veprimtari kriminale.
Njëherazi materialet i kaluan Prokurorisë së Tiranës, për veprën penale të “Prodhimit dhe shitjes së lëndëve narkotike”.
Të arrestuar
Krenar Dajti, 30 - vjeç, banues në Tiranë, i proceduar më parë për “Armë mbajtje pa leje”
Bledar Kovaçi, 27 - vjeç, banues në Tiranë, i njohur me pseudonimin “Bjondi”
Zamir Gjuzi, 24 - vjeç, banues në Tiranë, i njohur me pseudonimin “Zamir Qorri”
Agron Koçi, 33 - vjeç, banues në Tiranë, i njohur me pseudonimin “Gjon Rrapi”
Elidon Xhiku, 22 - vjeç, banues në Tiranë
Geris Lala, 24 - vjeç, banues në Tiranë
Sokol Mhilli, 42 - vjeç, banues në Tiranë
Zizja Mehmeti, 25 - vjeç, banuese në Tiranë
Alma Mehmeti, 20 - vjeç, banuese ne Tiranë
24 Korrik 2008