Zjarret rrezikojnë pikën turistike të Viroit
GJIROKASTËR – Një ndër zonat turistike më të njohura të Gjirokastrës është rrezikuar dje nga flakët e zjarrit, por ndërhyrja në kohë, ka bërë të mundur që të shmangen dëmet. Forcat zjarrfikëse vunë nën kontroll flakët që përfshinë dje pasdite një sipërfaqe pyjore në afërsi të pikës turistike të Viroit, rreth 3 km larg qytetit të Gjirokastrës. Burime nga Policia e Mbrojtjes Ndaj Zjarrit dhe Shpëtimit bëri të ditur se "ende nuk dihen shkaqet e këtij zjarri. Sipas burimeve, në vendngjarje shkuan forcat zjarrfikëse dhe të policisë, të cilat bllokuan qarkullimin e automjeteve për të lehtësuar lëvizjen e mjeteve zjarrfikëseve. Gjatë ditëve të fundit në rrethin e Gjirokastrës janë shënuar 5 raste zjarresh në kullota.
Goditja në zemër i merr jetën turistes nga Maqedonia
DURRËS – Një 24 vjeçare, me kombësi shqiptare, por me shtetësi të dyfishtë, maqedonase dhe zvicerane, ka ardhur për plazh në Durrës, por është ndarë nga jeta pasi ka pësuar një infarkt. Burimet zyrtare të Policisë së Qarkut të Durrësit bëjnë të ditur se në mesditën e së mars, rreth orës 13.30, në vendin e quajtur “Shkëmbi i Kavajës”, pikërisht në brezin e rërës, përpara hotel “Benilva”, ka gjetur vdekjen shtetasja Luljeta Kamberi, lindur në Tetovë dhe rezidente në Zvicër. Sipas burimeve policore, pasi u kryen veprimet e para hetimore, dyshohet se vdekja e kësaj shtetaseje është shkaktuar nga një atak kardiak.
24 Korrik 2008