E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia prangos Leonard Zanin, “Albania” proteston

21/12/2008  Redaksia: Pretendimet e policisë të gabuara. “Ishin 4 agresorë, jo 1”

TIRANE - Redaksia e gazetës “Albania” proteston në mënyrë energjike dhe me indinjatë ndaj pretendimit zyrtar të drejtorisë së policisë së Tiranës lidhur me dhunimin e zëvendëskryeredaktorit të gazetës “Albania” Luan Kondi. Në deklaratë pretendohet se akti është kryer nga shtetasi Leonard Zani për motive të dobëta, ndërsa ende nuk është bërë ballafaqimi i të ndaluarit me zëvendëskryeredaktorin Kondi. Ngjarja ka ndodhur dje në drekë rreth orës 15:00, vetëm pak hapa larg derës së godinës së “Vizion Plus”, ku ndodhen ambientet e gazetës. Agresorët nuk kanë bërë asnjë lloj debati me zotin Kondi, por njëri prej tyre vetëm sa e ka pyetur nëse punonte në gazetën “Albania” dhe porsa Kondi ka pohuar ata e kanë goditur. Ndërkohë në komunikatën e policisë thuhet se është shoqëruar agresori. Në fakt, vetë Kondi pasditen e djeshme ka deklaruar në komisariatin nr. 3 se është goditur nga katër persona të panjohur. Policia e administron këtë dëshmi, por nuk ka dhënë asnjë shpjegim se cilët janë tre personat e tjerë. Që pas deklaratës së djeshme të Kondit në polici ai nuk është pyetur më prej hetuesve për të bërë ballafaqimin lidhur me pretendimet e personit të ndaluar. Kjo deklaratë mbështetet edhe nga dëshmitarët okularë, të cilët ndodheshin në vendin e ngjarjes kur Kondi është dhunuar. Sipas policisë, gjatë kohës kur ka ndodhur ngjarja i arrestuari Zani ka qenë në gjendje të dehur. Në kushtet e një trafiku rrugor të dendur, zëvendëskryeredaktori i gazetës “Albania” i ka kërkuar Leonard Zanit të hapte rrugën që të kalonte me makinën e tij. Të njëjtën kërkesë ka bërë edhe i arrestuari. Sipas burimeve policore, nisur nga ky moskuptim, si gazetari Kondi, ashtu dhe i arrestuari Leonard Zani kanë shkëmbyer fillimisht fjalë ofenduese me njëri-tjetrin. Burimet sqarojnë se menjëherë pas këtyre ofendimeve zëvendëskryeredaktori i gazetës “Albania” ka goditur shtetasin e dehur Leonard Zani. Ky i fundit ka reaguar duke iu kundërpërgjigjur me grushte gazetarit Kondi. Si pasojë e këtij sherri, nga makina ku ndodhej shtetasi Zani kanë dalë edhe tre shtetas të tjerë, të cilët kanë ushtruar dhunë fizike mbi të dëmtuarin në fjalë.

Reagon PS-ja

Ulqini: Qeveria të ndalojë dhunuesit

Partia Socialiste i ka kërkuar dje qeverisë që të distancohet nga dhuna fizike e ushtruar dy ditë më parë mbi zëvendëskryeredaktorin e gazetës “Albania” Luan Kondi. Përmes një deklarate për shtyp deputeti i PS-së Musa Ulqini kërkoi nga qeveria që të ndalojë dhunuesit. Deputeti Ulqini, anëtar i Komisionit parlamentar për Mediet, theksoi se klima e marrëdhënieve të qeverisë me mediet po jep shenja shumë shqetësuese acarimi. Sipas tij, kjo klimë është në dëm të lirisë së shtypit, në kushtet kur dhunohen gazetarët e kur medie të pavarura kërcënohen në ekzistencën e tyre, me nxjerrje arbitrare nga godinat e punës. “Të gjithë e dimë se njeriu që duhet të përgjigjet quhet Sali Berisha”, - tha Ulqini. Gazetari Kondi u godit nga persona të panjohur në afërsi të redaksisë së tij. Agresioni ndaj tij lidhet me profesionin e tij si gazetar.

Berisha dënon dhunën

Të vihen para drejtësisë agresorët

Qeveria shqiptare dënoi dje agresionin ndaj gazetarit të gazetës “Albania” Luan Kondi. Përmes një deklarate për shtyp Kryeministri Sali Berisha dënoi me ashpërsinë më të

madhe agresionin ndaj gazetarit Kondi. Berisha e cilësoi agresionin si një akt të shëmtuar kriminal. Kryeministri u ka kërkuar organeve kompetente gjetjen dhe vënien përpara

ligjit të agresorit për aktin e tij të rëndë. Gazetari Kondi u godit nga persona të panjohur në afërsi të redaksisë së tij. Agresioni ndaj gazetarit lidhet me profesionin e tij si

gazetar. Incidenti me gazetarin Kondi është rasti më i fundit i regjistruar, kur persona të ndryshëm, të veshur ose jo me pushtet, kanë ushtruar dhunë ndaj punonjësve të

medieve.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›