E Diel, 1 Nëntor 2026

“PS-ja e Ramës më radikale”

21/12/2008  Për Metën drejtimi aktual i PS-së është më i përkeqësuar se me Nanon

“Rama s’e ka sfidën kryesore me Berishën, por me LSI-në, si një alternativë konkurruese”

Kryetari i LSI-së Ilir Meta gjatë një interviste komentoi zhvillimet më të fundit në politikën shqiptare. Duke u ndalur në atmosferën në të cilët ndodhet sot kampi i majtë, Meta shprehu mjaft pakënaqësi për veprimet e ndërmarra nga i lidershipi i PS-së. Madje, duke bërë një paralelizëm mbi mënyrën e drejtimit të kësaj partie nga ish-kryetari i saj Fatos Nano dhe drejtimit aktual, kryetari i LSI-së vuri në dukje se “problemet jo vetëm ekzistojnë brenda PS-së, por brenda saj është një gjendje edhe më të rëndë. Sidomos mungesa e demokracisë atje është bërë e frikshme”.

Partia Socialiste nuk duket e predispozuar të bëjë në Kod ato ndryshime që ju kërkoni...

Unë mendoj se tashmë zoti Rama është identifikuar si problemi kryesor i zgjedhjeve dhe i standardeve që duhet të arrijë Kodi, qëllimet e tij janë tepër të ngushta, thjesht për të dëmtuar, sipas konceptit të tij, sa më shumë LSI-në, gjë që nuk mund të ndodhë; duke marrë njëkohësisht një faturë tepër të madhe sa i përket integritetit të zgjedhjeve të ardhshme. Sepse nuk ndodh në asnjë vend të botës që një parti kryesore e opozitës, siç është rasti i PS-së në vendin tonë, të ulë garancitë e zgjedhjeve dhe të krijojë probleme të mëdha brenda opozitës. Megjithatë, kjo tregon gjendjen e rëndë në të cilën ndodhet lidershipi i kësaj partie, që vepron dhe në kundërshtim me historinë e saj, pasi dihet që PS-ja ka një histori pozitive në të kaluarën në mbrojtje të zgjedhjeve, të demokracisë dhe nuk ka qenë protagoniste e cenimit të tyre.

Në rast se ndodh një mrekulli dhe PS-ja pranon sugjerimet tuaja për Kodin Zgjedhor e më pas ju ofron bashkëpunim për zgjedhjet, ju do të pranoni?

Unë mendoj se çështja e qëndrimit të PS-s për Kodin nuk është një detyrim ndaj LSI-së, por një detyrim ndaj zgjedhjeve. Së dyti, është një investim që bëhet për të krijuar një klimë më të mirë edhe brenda opozitës. Ndërsa çdo mungesë reagimi pa dyshim që e thellon hendekun dhe tregon qartë se Partia Socialiste dhe lidershipi i saj nuk e ka sfidën kryesore me Berishën, ndaj të cilit ka qëndruar e nënshtruar për gati një vit dhe ka bërë gjithçka që ai ka kërkuar, edhe pse Berisha është përgjegjës për tragjedinë shtetërore të Gërdecit, për të cilën PS-ja nuk është ndier aspak, por problemin kryesor PS-ja dhe në veçanti kryetari i saj (se jam i bindur që anëtarët e PS-së nuk janë dakord me këtë filozofi) e ka me LSI-në, si një alternativë tepër konkurruese, tepër energjike dhe motivuese.

Ju keni lënë të kuptohet se parashikoni të fitoni më së paku 35 deputetë në zgjedhjet e ardhshme. Në njëfarë mënyre kjo ju nxjerr partinë e tretë, madje, po të ndodhë ndonjë habi, mund të jeni dhe partia e dytë me një numër të tillë deputetësh. Megjithatë, në qoftë se dilni partia e tretë dhe asnjëra prej dy partive të tjera nuk arrin numrat e nevojshëm për të krijuar qeveri, ju do të bashkëpunoni me njërën nga dy partitë?

Më duket se jam shprehur qartë se në rastin më të keq unë parashikoj të paktën 35 deputetë. Nnë rast se nuk arrihet ky objektiv, unë do të shikoj pozicionin tim në krye të Lëvizjes Socialiste për Integrim. Dihet që LSI-ja është forca e tretë në Shqipëri, këtë nuk e kundërshton dot askush, sepse është një realitet i provuar me vota. Por natyrisht që ne nuk mund të hyjmë në këto zgjedhje për të dalë të tretët, sepse kështu na duket se do të përsërisnim veten. Zgjedhjet janë një garë dhe kuptohet që ne synojmë të shkojmë shumë përpara. Natyrisht që janë zgjedhjet ato që do ti japin vendin çdo force politike, përfshirë edhe LSI-në dhe ne do të lexojmë me shumë vëmendje vullnetin e qytetarëve shqiptarë dhe mbi bazën e atij vullneti do të përcaktojmë edhe vendimet tona për të ardhmen. Është e sigurt se në çdo rast LSI-ja do të jetë garancia për një qeverisje progresiste të Shqipërisë pas vitit 2009. Pra, në çdo rast koalicioni ynë qeverisës nuk do të jetë një koalicion karrigesh, por do të jetë një koalicion programor.

Ju jeni përplasur në të shkuarën edhe me kreun e mëparshëm të Partisë Socialiste, Fatos Nano. A mendoni se zoti Nano duhej të ishte i pranishëm në gjithë këtë debat politik që po zhvillohet? Dhe heshtja e tij a krijon ndonjë impakt në zhvillimet politike?

Nuk mund të flas në emër të zotit Nano, por mund t’ju them se problemet për të cilat unë kam debatuar me të jo vetëm ekzistojnë brenda në Partinë Socialiste, por ato ekzistojnë në një gjendje akoma më të rëndë. Sidomos mungesa e demokracisë atje është bërë e frikshme, do të thosha, aq sa edhe për një prononcim fare të thjeshtë deputetët duhet të marrin leje nga kryetari i partisë. Apo aq më tepër kur pas 4-5 vjetësh përsëri LSI-ja dhe PS-ja përplasen për reformën zgjedhore, gjë që do të thotë se PS-ja ende nuk ka nxjerrë mësime nga viti 2005, kur ajo u bë arkitekte e një reforme zgjedhore manipulative, që njihet si “mega-Dushku” dhe që faktikisht solli në pushtet qeverisjen e djathtë. Se ç’mund të bëjë zoti Nano, është çështje e tij. Për ne qëndrimet janë të qarta, janë parimore, ato nuk kanë të bëjnë me faktin se cili është në krye të Partisë Socialiste, por me qëndrimet e kësaj force politike për çështjet më të rëndësishme të vendit. Dhe këto qëndrime, do të thosha, kanë qenë tepër destruktive. Qëndrimi për Kushtetutën ishte një shkatërrim i vetë kontributit të vyer që dha PS-ja në vitin 1998 për ndërtimin e një kushtetute demokratike dhe europiane; qëndrimet ndaj reformës në drejtësi mendoj se kanë qenë qëndrime tepër negative, të cilat kanë synuar thjesht të realizojnë axhendën e Berishës për ti shpëtuar përgjegjësisë për Gërdecin; qëndrimi për Kodin ju e shikoni sa absurd është, PS-ja është e vetmja që kërkon të mbajë peng standardet e zgjedhjeve, ky është një problem i madh, që tregon papërgjegjshmërinë e rëndë në të cilën ndodhet lidershipi aktual i kësaj partie, që tashmë është fokusuar edhe nga opinioni publik, si faktori kryesor edhe i një krize brenda së majtës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›