E Shtunë, 31 Tetor 2026

KQZ, Kuvendi edhe tre dite afat

28/01/2009  Republikanët dhe socialdemokratët depozitojë propozimet për anëtarë, rikonfirmohen aktualët

Miratimi i anëtarëve, krerët e grupeve parlamentare do bien dakord të shkurtojnë procedurat

Kuvendi i Shqipërisë brenda datës 30 janar duhet të zgjedhë anëtarët e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Kur kanë mbetur edhe tri ditë nga skadimi i këtij afati të përcaktuar nga Kodi Zgjedhor përmes një dispozite transitore, në Kryesinë e Kuvendit janë depozituar propozimet për anëtarë vetëm nga Partia Republikane. Kjo force politike ka të drejtën e përfaqësimit në KQZ me një anëtar. Ndërkohë edhe Partia Socialdemokrate, e cila gjithashtu do të ketë një përfaqësues të sajin në KQZ, pritet t’i depozitojë sot dy propozimet për anëtarë të KQZ-së në Kryesinë e Kuvendit.

KQZ-ja

“Kuvendi 30 ditë nga data e dekretimit të këtij ligji zgjedh anëtarët e KQZ-së sipas nenit 14 të këtij Kodi.” Ky është përcaktimi që parashikon Kodi i ri Zgjedhor për kohën e ngritjes së institucionit që do të administrojë proceset zgjedhore në vendin tonë. Duke iu referuar datës së dekretimit të ligjit nga Presidenti i Republikës Bamir Topi, 30 dhjetor 2008, ky afat skadon më 29 janar të këtij viti. Mirëpo për anëtarin e Komisionit të Ligjeve Arian Madhi ky afat nuk duhet parë me skepticizëm, duke vënë theksin te konsensusi që palët duhet të arrijnë për anëtarët e propozuar prej tyre. Në këtë rast ai përmend sërish dispozitat e ligjit të ri për zgjedhjet, sipas të cilit anëtarët aktualë të KQZ-së qëndrojnë në detyrë deri në zëvendësimin e tyre me anëtarët e rinj të zgjedhur sipas këtij kodi. “Kalimin e afateve unë nuk do ta shihja si një problem, pasi për këtë ka edhe një vendim të gjykatës Kushtetuese, sipas të cilit tejkalimi i afateve është i lejueshëm nëse nuk ka pasoja juridike. Aq më tepër që KQZ-ja ka në detyrë anëtarë”, - tha Madhi gjatë një prononcimi për mediet. Lidhur me dy kandidaturat e propozuara nga PR-ja: anëtarin në detyrë Klement Zguri dhe Arben Braçe, kreu i grupit të kuvendorëve të PR-së tha se zgjedhja e tyre është bërë jo vetëm për shkak të respektimit të kritereve ligjore, por edhe për shkak të integritetit të tyre profesional dhe moral. Neni 14 i Kodit Zgjedhor përcakton se grupimi propozues paraqet një listë me jo më pak se dy kandidatura. Kuvendit i paraqitet për votim lista e kandidatëve që kanë siguruar numrin më të madh të nënshkrimeve mbështetëse të deputetëve të grupeve respektive parlamentare të shumicës dhe opozitës, përfshirë edhe deputetët e PD-së e PS-së. Në rast se dy apo më shumë lista sigurojnë numër të njëjtë nënshkrimesh mbështetëse, të gjitha kandidaturat e përfshira në këto lista futen në votim.

Procedurat

Emrat e propozuar nga subjektet politike i kalojën për miratim Komisionin të Ligjeve, i cili do të shqyrtojë përputhshmërinë e figurës së tyre me kriteret ligjore. Seancat dëgjimore në këtë komision dhe afat e përcaktuara në rregullore pritet të ezaurohen me marrëveshje të palëve.

Anëtari i KQZ-së, Prenga reagon

Zgjedhjet, të shfrytëzohet në maksimum koha e mbetur

Anëtari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve Dodë Prenga shpreh shqetësimin për ngushtimin vazhdimisht të afateve për ngritjen e KQZ-së dhe fillimin nga puna për administrimin e procesit të zgjedhjeve të ardhme, qershor 2009. “Mendoj se duhet të ishte filluar nga puna për administrimin e procesit zgjedhor, pasi janë një sërë detyrash që i lindin KQZ-së, duke iu referuar edhe ndryshimeve që ka pësuar Kodi i ri Zgjedhor. Pra, mbi të gjitha anëtarët e rinj duhet të njihen dhe përvetësojnë ligjin e ri dhe më pas të kenë kohën e domosdoshme në dispozicion për ta zbatuar atë hap pas hapi”, - theksoi Prenga gjatë një prononcimi për mediet, duke vënë theksin edhe tek administrata zgjedhore. Sipas tij, koha e mbetur në dispozicion deri në datën e zgjedhjeve është në limitet e saj, kohë e cila duhet shfrytëzuar maksimalisht nga palët pjesëmarrëse në proces, me qëllim realizimin e një procesi brenda standardeve dhe të pakontestueshëm.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›