E Diel, 1 Nëntor 2026

Policia rrugore, 2 mijë gjoba në ditë për shoferët

Vendimi vjen pas situatës së rëndë të krijuar në trafikun rrugor, ku vetëm në autostradën Tiranë-Durrës, në 3 ditët e fundit janë shkaktuar 8 të vdekur dhe disa të plagosur. Paralajmërohen aksione dhe për motorët pa dokumentacion. 

TIRANE- Policia Rrugore u “sulet” shoferëve problematikë, duke i “ngjeshur” me gjoba. Në instruktimet e fundit është kërkuar ndëshkimi maksimal i drejtuesve të automjeteve të cilët shkelin rregullat e qarkullimit rrugor. Vendimi vjen pas situatës së rëndë të krijuar në trafikun rrugor, ku vetëm në autostradën Tiranë-Durrës, në 3 ditët e fundit janë shkaktuar 8 të vdekur dhe disa të plagosur. Sipas zëdhënëses së policisë së Tiranës, Alma Katragjini, në autostradën Tiranë-Durrës u janë vendosur gjithsej 136 gjoba drejtuesve të mjeteve, kryesisht për ecje tej normave të lejuara të shpejtësisë si dhe për mos vendosje të rripit të sigurimit. Po ashtu, janë bllokuar 7 leje drejtimi të drejtuesve të mjeteve, ku nga konstatimi i bërë me radar të shërbimeve të policisë rrugore, shpejtësia e tyre ka qenë mbi 120 km/h. Ndërsa në total, në një javë mësohet se është vendosur shifra rekord e 14 mijë gjobave, këto nga shkeljet për shpejtësi tej normave të lejuara; për parakalim të gabuar; mospërdorim të kaskës mbrojtëse; mosvendosje të rripit të sigurimit; për mospërdorim të dritave; për përdorim të celularit gjatë dhënies së mjetit; për mosrespektim të sinjalistikës rrugore etj. Ndërkohë, Drejtoria e Policisë së Tiranës ka paralajmëruar drejtuesit dhe pronarët e motoçikletave dhe çiklomotorëve, që të plotësojnë mjetet e tyre me dokumentacionin e duhur dhe të respektojnë masat e sigurisë në përdorimin e këtyre mjeteve. “Kemi një numër të madh aksidentesh rrugore, ku një pjesë e konsiderueshme e tyre ka pasur si autor drejtues motorësh, por kemi edhe shumë ngjarje kriminale të ndodhura (kryesisht në grabitjet e pasurisë së qytetarëve), që kanë si autor drejtuesit e këtyre mjeteve, që janë të patarguara dhe të paidentifikuara”, - thuhet në njoftimin e Alma Katragjinit. Zëdhënësja ka bërë publike nismën që pritet të ndërmarrë policia rrugore në bllokimin e motorëve pa targa e dokumente, si dhe ndëshkimin e drejtuesve që nuk përdorin kaska mbrojtëse.
(s.g/GSH/BalkanWeb)



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›