E Shtunë, 31 Tetor 2026

Vrasja e ish-policit në Elbasan, burg për autorët

Gjykata e Elbasanit dha sot masën e sigurisë "arrest me burg" për dy të dyshuar si autorë të vrasjes së ish- policit, Roland Rexhepi, pranë banesës së tij disa ditë më parë. Prokurori i rrethit të Elbasanit, Elvin Gokaj, e mbështeti kërkesën e tij për masën e sigurisë "arrest me burg" ndaj dy të ndaluarve Armand Llakaj, 33 vjeç, banues në Elbasan, dhe Arben Jaçe, 28 vjeç, banues në Tiranë, në provat e shumta të mbledhura gjatë hetimit për zbardhjen e këtij krimi.
Avokati i të pandehurit Arben Jaçe, Gëzim Veleshja, kundërshtoi provat e prokurorisë, duke u shprehur se klienti i tij në momentin e krimit ka qenë në kryeqytet dhe për këtë ai ka deklaruar se "mund ta vërtetojë nëpërmjet dëshmitarëve". Avokati Veleshja u shpreh se gjurmët e gishtave të të dyshuarit Jaçe, që janë gjetur në motorin e përdorur nga ana e vrasësve, kanë mbetur aty nga momenti kur klienti i tij ka bërë riparimin e mjeteve të këtij lloji, pasi është i liçensuar nga QKR për këtë aktivitet prej vitit 2008. Trupi gjykues i kryesuar nga Pajtime Fetahu la në fuqi kërkesën prokurorisë, masën e sigurisë "arrest me burg" për dy të akuzuarit.
Roland Rexhepi, baba i tre fëmijëve, u ekzekutua me armë zjarri, mëngjesin e 22 korrikut në lagjen "Vullnetari 2" të qytetit të Elbasanit. Ai u qëllua nga persona të cilët lëviznin të maskuar, me një motor me ngjyrë të zezë dhe pa targa

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›