E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rama:” Vitin e ardhshëm, Sharra kthehet në një zonë të gjelbëruar”



Zona e Sharrës më problematike e kryeqytetit për shkak të grumbullit të madh të mbeturinave do të kthehet në një zonë të gjelbruar rreth saj. Premtimi është bërë nga Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, i cili ka inspektuar punimet për zbatimin e projektit “Menaxhimi i Mbetjeve Urbane për Qytetin e Tiranës në fushën e Sharrës”, projekt i cili financohet falë një kredie të butë prej 6 000 000 Euro, të huazuara nga Qeveria Italiane. Rama u shpreh se të gjitha mbetjet urbane do të trajtohen siç trajtohen në çdo vend europian, ku mbi to do të ketë sipërfaqe të gjelbëra dhe jo helm dhe njerëz të dëshpëruar. Aktualisht në Sharrë janë duke u realizuar punimet e fazës së parë të projektit e cila është në përfundim. Rreth 95 për qind e punimeve kanë përfunduar, ku janë kryer veshjet me gjeomembranë dhe drenazhimi i sipërfaqeve përreth. Projekti parashikon që punimet duhet të përfundojnë për një afat kohor prej 24 muajsh. Operacionet në këtë parcelë do të fillojnë me grumbullimin dhe trajtimin e mbeturinave urbane nëpërmjet procesit teknik landfill. Përveç parcelës së parë, projekti parashikon ndërtimin e tre parcelave të tjera, duke siguruar respektimin e volumit të depozitimeve të mbetjeve urbane të parashikuara në studimin paraprak si dhe zgjatjen e afatit kohor të funksionimit të kësaj fushe. Në punime janë parashikuar që të bëhen lëvizje dherash, do të bëhet rrjeti i drenazhimit të ujit, impianti i riciklimit të ujit të ndotur etj.

11 Korrik 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›