E Shtunë, 31 Tetor 2026

Policia shkencore, shteti i kualifikon, ikin te privati

Efektivët e policisë nuk janë të gjithë "të dëmtuarit" në strukturë kundrejt eprorëve të tyre. Ka edhe nga ata, të cilët tregohen të shkathët, e pavarësisht se policia shpenzon mijëra euro për trajnimin e tyre, sapo marrin certifikatat përkatëse, japin dorëheqjen, duke punuar në të tjera institucione shtetërore apo private. Duke nxjerrë justifikime për rrogën e vogël, ata presin derisa të mbarojë trajnimi e më pas prishin kontratat me policinë. Megjithatë, ka edhe nga ata, të cilët pavarësisht se kanë kualifikimet përkatëse nuk marrin një rrogë të mirë, pasi funksioni që kanë ka një gradë të vogël e për këtë shkak përfitojnë pak para. Kjo ka ndodhur sidomos te policia shkencore, që një trajnim disa javësh kushton rreth 15 mijë euro. Për këtë, policia ka kërkuar ndryshimin e kontratës individuale me disa struktura të veçanta, që efektivët e tyre të detyrohen të rrinë në polici të paktën tre vjet, pasi të kenë kryer trajnime kaq të shtrenjta, të cilat i paguan shteti shqiptar.
Për këtë problem është kërkuar një zgjidhje urgjente, duke marrë shkas edhe nga hartimi i kontratës individuale të punës për punonjësin e policisë. Burimet policore shpjegojnë se aktualisht ky problem ka dalë vetëm te policia shkencore. Sipas tyre, specialistët që punojnë në policinë shkencore vijnë nga dy drejtime, që janë arsimi policor dhe arsimi fillestar i fushave jashtë policisë, si kimist, biolog edhe të tjera. Pas kësaj, specialistët me arsim policor i nënshtrohen një formimi bazë për ekspert kriminalist, që është "kursi për ekspert kriminalist", i cili ka një kohëzgjatje të paktën katër muaj, me ngarkesë ditore të plotë. Ndërsa specialistët me arsim fillestar jashtë atij të policisë i nënshtrohen kursit të lartpërmendur, po edhe trajnohen për fushën konkrete si për biologji, kimi e fusha të tjera.
Problemi për Departamentin e Hetimit të Krimeve mbetet se të gjitha kurset e mësipërme kanë kosto relativisht të lartë, për më tepër ato që zhvillohen nga specialistë të huaj në mungesë të trajnuesve shqiptarë. Kurse të tilla janë të shumta, por siç dihet më i rëndësishmi është ai për ADN-në dhe kanë kosto shumë të lartë. Madje, burimet policore nga Drejtoria e Përgjithshme e Policisë së Shtetit deklarojnë se kostoja e një trajnimi brenda vendit dhe jo në vendet e tjera, për katër specialistë biologë për ADN-në, me një kohëzgjatje gjashtëjavore me dy trajnues anglezë, është 15 mijë euro. Policia tha se edhe kurset e tjera janë tejet të shtrenjta, për të cilat shpeshherë kanë financuar misionet e huaja që shërbejnë në Shqipëri, por nuk kanë munguar as financimet nga policia shqiptare.
Megjithatë, gjithmonë ekziston rreziku i largimit të shpejtë i specialistëve të policisë shkencore nga radhët e policisë, pasi mbarojnë kurset e kualifikimit dhe përfitojnë dëshmitë apo certifikatat përkatëse. Siç dihet, këto certifikata dhe kualifikime, atyre u njohin të drejtën për kryerjen e ekzaminimeve dhe këtë të drejtë mund ta përdorin në institucione të tjera. Kështu, shumë specialistë mund të zgjedhin të largohen nga policia dhe të punojnë në institucione të tjera për një pagë më të mirë, ose të punojnë në institucione private. Një tjetër pikë që ata i demotivon për punën e pagës në polici është edhe ajo e mospërfitimit të gradës, që i takon për vendin e punës, pasi nuk përmbushin vjetërsinë e rrjedhimisht dhe trajtimi financiar nuk është në nivele motivuese. Sipas të dhënave policore, rasti konkret është largimi i specialistit E. M., i cili është trajnuar për kryerjen e ADN-së, por që u largua thjesht për arsye të trajtimit financiar, i cili faktikisht nuk i përgjigjet formimit të tij.
Lidhur me këto ankesa, Departamenti i Hetimit të Krimit, nga i cili varet policia shkencore, ka kërkuar që për specialistët e policisë shkencore kontrata e punës të ketë një shtesë me anë të së cilës të kushtëzohet prishja e njëanshme e kontratës nga ana e punonjësit të policisë brenda një afati kohor të caktuar prej tre ose pesë vitesh. Madje, përllogaritja për kohën e prishjes së kontratës të bëhet me pagesën e kostos së trajnimeve të përfituara nga punonjësi, duke qenë në radhët e uniformave blu.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›