Policia shpëton dy turiste holandeze të bllokuara në Shpellën e Pëllumbasit, njëra prej tyre dërgohet në spital

Dy turiste nga Holanda janë shpëtuar nga Policia e Shtetit pasi mbetën të bllokuara në zonën e Shpellës së Pëllumbasit, në fshatin Pëllumbas, ku njëra prej tyre u dëmtua në këmbë si pasojë e një rrëzimi.
Sipas Policisë, menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 1, në bashkëpunim me Policinë Alpine të Forcës Kombëtare të Sigurisë, Njësia Tiranë, organizuan një operacion kërkim-shpëtimi për lokalizimin dhe nxjerrjen e turisteve nga terreni i vështirë.
Pas gjetjes së tyre, efektivët i dhanë ndihmën e parë turistes së dëmtuar dhe, në bashkëpunim me shërbimin e ambulancës, e transportuan në Spitalin e Traumës për trajtim mjekësor. Turistja tjetër u shoqërua në një zonë të sigurt.
Dy shtetaset holandeze falënderuan shërbimet e Policisë dhe strukturat mbështetëse për reagimin e shpejtë, profesionalizmin dhe ndihmën e ofruar gjatë operacionit.
Policia e Shtetit u bën thirrje qytetarëve dhe turistëve që, për çdo situatë emergjente apo problematikë, të telefonojnë në numrin pa pagesë 112.
/rtsh.al/