Rama denoncon dezinformimin e organizuar digjital rreth Banjove të Bënjës: Sulm me të njëjtën metodë dhe me ‘ndihmën’ e të njëjtave duar të huaja, si në rastin për flamingot

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar lidhur me një fushatë të gjerë informacioni që ka qarkulluar gjatë 24 orëve të fundit në rrjetet sociale. Fushata në fjalë pretendon shkatërrimin, betonizimin dhe tharjen e burimeve natyrore në Banjot Termale të Bënjës.
Kreu i ekzekutivit e ka cilësuar këtë fluks lajmesh si një sulm të organizuar digjital, të nxitur në mënyrë artificiale përmes manipulimit të algoritmeve, me qëllim shkaktimin e reagimeve publike dhe destabilitetit politik.
“Prej 24 orësh është lëshuar një tjetër “raketë” digjitale, që algoritmi e ka shpërthyer në qindra mijëra lajke e mallkime, për shkatërrimin, betonizimin dhe tharjen e Banjove Termale të Bënjës. Me të njëjtën metodë dhe me ‘ndihmën’ e të njëjtave duar të huaja, që i dhanë algoritmit ‘dopingun’ për një turravrap të paparë në përhapjen e alarmit për flamingot, organizatorët e kësaj trazire që synon të rrëzojë qeverinë e të kthejë mbrapa Shqipërinë, duke manipuluar njerëzit që kanë shqetësime të sinqerta, kërkojnë ta kthejnë Bënjën në një casus belli të ri.”, shkruan Rama në rrjetet sociale.
Për të hedhur poshtë akuzat e ngritura në hapësirën virtuale, Kryeministri ka publikuar pamje vizuale të përditësuara nga terreni i zonës termale. Sipas tij, në zonën e Bënjës nuk ka zhvillime që cenojnë mjedisin apo tjetërsim të aseteve publike në favor të privatit, por po zbatohet një investim i miratuar shtetëror.
“Kush do të vërtetën e ka në këtë video, SOT, nga Banjot e Bënjës, ku s’ka flamingo, s’ka shitblerje, s’ka pronarë e as konflikte pronësie, po ka thjesht një projekt publik rigjenerimi e Rilindjeje Urbane, në funksion të mijëra e mijëra vizitorëve e turistëve që shkojnë aty çdo vit.”, thekson Rama.
Në përfundim, sipas sqarimit, ndërhyrjet infrastrukturore në këtë destinacion natyror të Përmetit synojnë ekskluzivisht sistemimin e hapësirave publike dhe përmirësimin e standardeve të mikpritjes për fluksin e vazhdueshëm të turizmit lokal dhe ndërkombëtar.
/rtsh.al/