E Diel, 1 Nëntor 2026

“Policia shqiptare rriti aftësinë goditëse, nuk u ndihmua nga prokuroria dhe gjykatat”

07-03-2013 / Gazeta 55

Drogat - DASH vlerëson Policinë e Shtetit

Raporti vlerëson punën e policisë për arrestimet e eksponentëve pjesë të rrjetit të drogës, ndërsa kritikon rëndë burokracitë e sistemit gjyqësor, duke evidentuar shkallën e ulët të atyre që janë dënuar

Gjatë vitit 2012-të, Shqipëria ka bërë hapa tepër pozitiv në luftën kundër trafikut të lëndëve narkotike. Vlerësimi vjen nga Departamenti Amerikan i Shtetit, i cili në raportin vjetor vlerëson punën e policisë se shtetit për rritje te ndjeshme ne goditjen e rrjeteve te trafikut dhe arrestimin e trafikanteve. Kjo rritje e aftësisë goditëse, sipas raportit, i atribuohet trajnimit më të mirë të efektivave të policisë dhe përdorimit të mirë të teknikave dhe pajisjeve me teknologji të përparuar. Në raport thuhet se Shqipëria është një vend tranzit dhe destinacion për kanabis, heroinë dhe kokainë, por gjatë 2012 –ës është shënuar rritje drastike në kapjen e marijuanës, me 175 për qind më shumë krahasuar me vitin 2011. Kjo, thuhet në raport, nënkupton gjithashtu ka dhe një rritje të prodhimit vendas.
Provat tregojnë, theksohet më tej, se rrjetet e trafikimit mund të jenë duke përfituar nga aktivitetet e reduktuara policore në vendet fqinje, duke anashkaluar Shqipërinë, e cila ka shërbyer gjatë si një vend tranzit për në Europën Perëndimore. Me përjashtim të kanabisit, Shqipëria nuk është një prodhues i rëndësishëm i drogave të paligjshme, kimikate apo drogave sintetike dhe konsumi i drogave të tjera, veç marijuanës, nuk duket të jenë në përdorim të gjerë në Shqipëri.
Shqipëria ka vazhduar të përmirësojë përpjekjet në luftën kundër trafikut të narkotikëve gjatë vitit 2012, duke shpallur dhe një Strategji Kombëtare kundër narkotikëve, vazhdon më tej raporti i Departamentit Amerikan të Shtetit. Sasia e kanabisit të konfiskuar arriti pothuajse 21.2 ton, gati dyfishi i sasisë së konfiskuara në vitin 2011. Sasia e heroinës dhe kokaina se zbuluar është dyfishuar respektivisht me 87.7 dhe 46 kilogram.
Por teksa vlerësohet puna e policisë, vihet në dukje fakti se nuk është në të njëjtin nivel puna e gjykatave dhe prokurorisë gjatë 2012. Me gjithë rritjen e konfiskimeve dhe arrestimeve, nënvizohet fakti se burokracia dhe institucionet e dobëta gjyqësore e të zbatimit të ligjit, personat e dënuar për trafik narkotikesh janë të pakët.
Policia e shtetit ka arrestuar 729 persona në vitin 2012 për krime të lidhura me drogën, kryesisht trafikimin. Prokuroria e krimeve të rënda nisi hetimet mbi 149 prej tyre, por vetëm 46 raste u dërguan në gjykata. Gjykata e Krimeve të Rënda e Shkallës së Parë ka dhënë 56 dënime që lidhen me trafikimin gjatë vitit 2012.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›